Sot ndeshja me Gjeorgjinë, Sylvinho nuk ndryshon, ka vetëm një dilemë
Me një moral të lartë dhe një atmosferë që pritet të jetë elektrizuese, në një kohë kur janë shitur të gjithë biletat, Shqipëria synon fitoren e dytë në grup, por rivali që na sfidon, Gjeorgjia, nuk është rivali më komod i mundshëm, përkundrazi, është një kundërshtar që vjen në momentin e tyre më të mirë. Të gjithë këto detaje e bëjnë këtë sfidë të paparashikuar, por e vetmja gjë e qartë është se Shqipëria zbret në fushë me stofin e një ekipi favorit, zbret në fushë për të fituar këtë takim.
Gjithçka ka shkuar në mënyrë perfekte edhe në seancën e fundit, të gjithë lojtarët janë në dispozicion të trajnerit Sylvinho. Është e qartë prej kohësh, që Sylvinho nuk preferon të ndryshojë shumë, e ka të “brumosur” në mendjen e tij formacionin fitues, kështu pritet të jetë edhe në këtë takim, ku nuk parashikohen ndryshime, për momentin ka vetëm një dilemë në kokë, Hysajn apo Balliun nga minuta e parë, të paktën ky është perceptimi i krijuar.
Pjesa tjetër e prapavijës do të formohet nga dyshja Ismajli-Kumbulla, dy lojtarë që dhuruan një sfidë fantastike ndaj Ukrainës, ndërsa Mitaj si gjithnjë i paprekshëm në të majtë.
Nuk ndryshon as mesfusha, me Asllanin-Ramadanit dhe Qazim Laçin, Sylvinho ka gjetur ndërthurjen perfekte. As faza e sulmit nuk ndryshon me Rey Manaj në qendër, i mbështetur nga dyshja Bajrami-Jasir Asani.
Fraksion.com