AktualitetTë fundit

Atentat me armë zjarri në Shkodër, identifikohet autori

Të shtëna me armë zjarri u dëgjuan mesditën e kësaj të shtune në qytetin e Shkodrës. Ngjarja ndodhi në lagjen “Partizani” dhe objektiv ishte automjeti Range Rover që shihni në pamjet më lart.

Nga ngjarja nuk ka të lënduar.

Sipas asaj që raporton nga Shkodra gazetarja Emi Kalaja, në drejtim të mjetit në fjalë, është qëlluar të paktën 5 herë. Shoferi i tij sapo ka dëgjuar të shtënat ka ndaluar mjetin dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

Automjeti është në pronësi të Sokol Kajoshit, por në drejtimin e tij dyshohet të ketë qenë një prej djemve të tij, Arjon Kajoshi.

Ngjarja dyshohet të jetë hakmarrje për rrahjen e 62-vjeçarit Vladimir Bruçi, babai i Alban Bruçit, në fillim të muajit qershor. Në mesin e 5 personave që janë shpallur në kërkim në atë kohë është edhe Arlind Kajoshi, djali tjetër i Sokol Kajoshit.
“Rreth orës 12:30, në lagjen “Partizani”, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti “Land Rover” në lëvizje, në pronësi të shtetasit S.K. Nga të shtënat nuk ka përsona të lënduar.Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe vijojnë kontrollin në zonë për kapjen e autorit/ve. Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave, sigurimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve, dhe dokumentimin ligjor të rastit”, tha policia e Shkodrës në një informacion për mediat.

Fraksion.com