AktualitetBota+Të fundit

Ristrukturimi i Qeverisë ukrainase: Energji e re apo rutinë?

Në kohën kur pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia është në muajin e 30-të, presidenti Volodymyr Zelensky po përpiqet t’i shkundë disa gjëra – si në fushën e betejës, ashtu edhe në sallat e pushtetit në Kiev.

Në fillim të gushtit, Ukraina nisi një inkursion të befasishëm në territorin rus, duke dërguar trupa përtej kufirit dhe duke hapur një front të ri në rajonin e Kurskut.

Këtë javë, presidenti ukrainas nisi ristrukturimin më të madh të Qeverisë së tij që nga fillimi i luftës gjithëpërfshirëse, duke zëvendësuar ministrin e Jashtëm – një figurë e shquar e Ukrainës që nga viti 2020 – dhe duke bërë edhe ndryshime të tjera në kabinetin e ministrave dhe në administratën e tij.

Zelensky e zëvendësoi edhe ministrin e tij të Mbrojtjes një vit më parë dhe komandantin e përgjithshëm të forcave të armatosura në shkurt, ndërsa për ndryshime më gjithëpërfshirëse në Qeveri ka kohë që flitet.

Kryetari i Parlamentit të Ukrainës, Ruslan Stefanchuk, njoftoi qysh në qershor se do të ketë ndryshime në kabinet, duke kujtuar se disa ministri – përfshirë ato që janë përgjegjëse për kulturën, politikën bujqësore dhe infrastrukturën – janë pa ministra të konfirmuar tash e sa kohë.

Atëkohë nuk ndodhi asgjë. Edhe thashethemet që pasuan, se kryeministri Denys Shmyhal mund të zëvendësohet, rezultuan të pasakta, pasi ai mbetet në detyrë.

Analisti politik, Volodymyr Fesenko, thotë për Radion Evropa e Lirë se ai beson se Zelensky dhe shefi i tij i kabinetit, Andriy Yermak, kanë dashur prej kohësh të bëjnë ndryshime, por se vetëm tash “kanë gjetur kohë” për të marrë vendime se kush duhet të shkojë ku.

“Sapo i kanë marrë vendimet përkatëse politike… [ndryshimet] janë bërë”, thotë Fesenko.

Sido që të jetë, ndryshimet vijnë në një moment intensiv të luftës. Ukraina mban territore në rajonin e Kurskut të Rusisë dhe forcat e Moskës janë duke përparuar në Donbas, përkatësisht në provincat lindore të Donjeckut dhe Luhanskut, të cilat presidenti rus, Vladimir Putin, duket se është i vendosur për t’i pushtuar tërësisht.

Cili është qëllimi?

Zelensky tha më 4 shtator se Ukraina ka nevojë për “energji të re”, ndërsa rikonstruktimin e Qeverisë e përshkroi si synim “për të forcuar shtetin në fusha të ndryshme”.

Zelensky, i cili u zgjodh në prill të vitit 2019, tha se disa zyrtarë kanë qenë në postet e tyre për katër vjet e gjysmë apo pesë vjet.

Ai bëri thirrje për rezultate të shpejta, duke i kërkuar ekipit të tij të ri të punojë “në mënyrë më aktive se më parë”, si dhe të arrijë përparime në investimet në industrinë e armëve, në stabilitetin financiar, në mbështetjen për vijën e frontit dhe në përpjekjet e Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Disa kritikë dyshojnë se ristrukturimi synon ta konsolidojë edhe më shumë pushtetin në duart e Zelenskyt dhe të administratës së tij, duke vënë në dukje faktin se disa prej lëvizjeve përfshijnë kalimin e anëtarëve të kabinetit në zyrën presidenciale ose anasjelltas.

Andriy Sybiha, ish-zëvendësministër i parë i Jashtëm, i cili e zëvendësoi Dmytro Kulebën si kryediplomat ukrainas, ka punuar më herët në zyrën presidenciale.

Ministri i ri i Zhvillimit të Komuniteteve, Territoreve dhe Infrastrukturës, Oleksiy Kuleba, është ish-deputet, ndërsa ish-ministrja për Riintegrimin e Territoreve të Pushtuara Përkohësisht, Iryna Vereshchuk, është zhvendosur në zyrën presidenciale për të punuar në politikat sociale.

Oleh Rybachuk, zëvendëskryeministër i ish-presidentit Viktor Yushchenko dhe tani udhëheqës i OJQ-së me bazë në Kiev, Qendra UA, thotë se “është e pamundur të flitet për fytyra të reja [në kabinet] sepse ato zgjidhen bazuar në shumë kritere dhe nga grupe të ndryshme të ndikimit”. Në këto grupe, ai përmend në mënyrë specifike shefin e kabinetit të Zelenskyt, Yermak.

Yermak nuk ka komentuar për rolin e tij në ristrukturimin e Qeverisë.

Më herët, në një intervistë me një media ukrainase, ai iu përgjigj pretendimeve se ndërhyn në punën e Ministrisë së Jashtme duke thënë: “Autoriteti im përfundon aty ku përfundon mandati i presidentit”.

Ai, po ashtu, tha se e sheh veten si këshilltar për sigurinë kombëtare.

Fesenko ka një qëndrim tjetër prej Rybachukut. “Rezerva e personelit është e kufizuar”, thotë ai. Emërimet e reja janë bërë “duke zgjedhur nga ata që e kanë dëshmuar veten në ekipin e Volodymyr Zelenskyt”, sipas tij.

A do të japë fryte ristrukturimi?

Figura të opozitës shprehën dyshime se ndryshimet në Qeveri do të sjellin ndryshime pozitive.

“Nuk do të ketë gjak të freskët. Le ta themi troç”, tha Yulia Klymenko, ligjvënëse nga partia opozitare Holos, për Shërbimin e Ukrainës të Radios Evropa e Lirë.

“Janë të njëjtët njerëz, ata thjesht po i ndryshojnë vendet, po kalojnë nga një ministri në tjetrën”, tha ajo.

Rybachuk, në anën tjetër, tha se ministrat kanë pak pushtet, ndërsa “vendimet e vërteta” merren nga njerëz të afërt me Zelenskyn, që, sipas tij, “nuk e mbajnë nivelin e duhur të përgjegjësisë për vendimet”.

“Presidenti thotë se dëshiron të shohë njerëz me energji të re, profesionistë aktivë, por, në të njëjtën kohë, rrethi i tij thotë se ai kërkon që këta njerëz të rinj të kuptojnë më shpejt… dhe t’i përmbushin menjëherë të gjitha tekat e presidentit dhe zyrës së tij”, thotë Rybachuk.

“Ky, sigurisht, nuk është një model që do të na sjellë rezultate të rëndësishme”, shton ai.

Mbështetësit e Zelenskyt thonë se ai është i hapur për njerëz të rinj në Qeveri, duke vënë në dukje këtu emërimin e Rustam Umerovit, nga partia Holos, si ministër i Mbrojtjes, vitin e kaluar.

Fesenko thotë se beson se me “energjinë e re”, Zelensky nënkupton ndryshimet brenda ekipeve ekzistuese dhe jo ekskluzivisht “fytyra të reja”./REL

 

Fraksion.com