Qytetarët gjermanë duan një politikë tjetër ndaj refugjatëve
Pas sulmit islamik me thikë në Solingen të një siriani që duhej të largohej nga Gjermania, qeveria federale vendosi të shtrëngojë ndjeshëm politikën e migracionit dhe të sigurisë.
Për diskutim janë paraqitur propozime të shumta. Por CDU-ja dhe CSU-ja, të cilat përbëjnë grupin më të madh parlamentar të opozitës në Bundestag, nuk janë të kënaqura me planet e SPD-së, të të Gjelbërve dhe të FDP-së. Ata kërkojnë kthimin mbrapsht të personave ilegalë që në kufi dhe e vënë në pikëpyetje ligjin për azilin.
A duhet një politikë krejt e ndryshme për azilin?
Mosmarrëveshjet se cila është rruga e drejtë që duhet ndjekur në këtë lëmi prek ndjeshëm nervin e qytetarëve. Në sondazhin e zhvilluar nga grupi i mediave publike gjermane ARD , 77 për qind e gjermanëve me të drejtë vote iu përgjigjën me “Po” pyetjes: “A na duhet apo nuk na duhet një politikë thelbësisht e ndryshme për azilin dhe refugjatëtnë mënyrë në Gjermani të vijnë më pak vetë?”.
Gjithësesi në përgjigje ka dallime sipas bindjeve politike. Mbështetësit e të Gjelbërve dhe të social-demokratëve mendojnë se nuk ka nevojë për ndryshime të mëdha në politikën për azilin dhe refugjatët.
Kontrolle të vazhdueshme në kufi
Sulmi në Solingen ringjalli edhe debatin për sigurinë e brendshme. 44 për qind e qytetarëve gjermanë thanë se aktualisht ndihen të pasigurt në hapësirat publike. Shtatë vjet më parë, përqindja e njerëzve që ndiheshin të pasigurt në hapësirat publike, në rrugë dhe në transportin publik ishte vetëm 22 për qind.
Votuesit e të Gjelbërve dhe Social Demokratëve padyshim ndihen shumë më të sigurt në Gjermani sesa votuesit e partive ekstreme.
Instituti për demoskopi Infratest-Dimap pyeti për anketën më datën 3 dhe 4 shtator 1,309 gjermanë.
Krahasuar me sondazhin e zhvilluar në prill të këtij, në sondazhin aktual ka një rritje prej 22 përqindje të numrit të qytetarëve për të cilët çështja e refugjatëve dhe e imigrimit është çështja më e rëndësishme politike. Të shqetësuar për këtë çështje janë 48 për qind e qytetarëve gjermanë. Me shumë distancë vijojnë shqetësimet për çështje të tilla si ekonomia (20%), padrejtësia sociale (12%) dhe ndryshimet klimatike (12%)./DW
Fraksion.com