AktualitetBota+Të fundit

Presidenti Zelensky kërkon më shumë mbështetje nga Perëndimi për luftën e tij me Rusinë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takua të premten me udhëheqësit më të lartë ushtarakë të Shteteve të Bashkuara dhe të më shumë se 50 vende partnere në Gjermani, për të ushtruar trysni për më shumë mbështetje, ndërsa Uashingtoni njoftoi se do të sigurojë 250 milionë dollarë të tjera ndihme për Kievin.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin, tha se takimi i udhëheqësve po zhvillohet përgjatë një periudhe dinamike në luftën e Ukrainës kundër Rusisë, pasi ajo po kryen operacionet e saj të para sulmuese, ndërsa përballet me një kërcënim të rëndësishëm nga forcat ruse pranë një zonë thelbësore në Donbas.

Deri më tani, sulmi i befasishëm brenda territorit të Kurskut në Rusi nuk e ka shpërqendruar Presidentin Vladimir Putin nga synimet për pushtimin e qytetit ukrainas Pokrovsk, i cili ofron lidhje thelbësore hekurudhore dhe furnizimi për ushtrinë ukrainase. Humbja e Pokrovskut mund të rrezikojë qytete të tjera të Ukrainës.

Ndërsa Kursku e ka vënë Rusinë në pozite mbrojtjeje, “ne e dimë se keqdashja e Putinit shkon thellë”, paralajmëroi sekretari Austin para takimit. Moska po ushtron trysni, veçanërisht rreth Pokrovskut, tha zoti Austin.

Sulmet e fundit ajrore vdekjeprurëse nga Rusia, kanë ripërtërirë thirrjet e Presidentit Zelensky drejtuar Shteteve të Bashkuara dhe vendeve tjera perëndimore që të heqin kufizimet për të goditur më thellë brenda Rusisë. Megjithatë, takimi i së premtes pritej të përqendrohej rreth shtimit të mbështetjes së mbrojtjes ajrore dhe artilerisë dhe në forcimin e përfitimeve në zgjerimin e bazës industriale të mbrojtjes së Ukrainës, ndërsa afrohet fundi i mandatit të Presidentit amerikan Joe Biden.

Presidenti Zelensky tha se do të vazhdojë të bëjë trysni rreth armëve me rreze të gjatë veprimi. “Duhen vendime të forta afatgjata nga partnerët për ta sjellë më afër paqen e drejtë që ne e kërkojmë”, tha ai të premten në një postim në rrjetin Telegram.

Vendet partnere perëndimore po punojnë me Ukrainën për të siguruar zëvendësim për sistemet e saj të mbrojtjes ajrore S-300 të epokës sovjetike, tha sekretari Austin.

Që nga viti 2022, Perëndimi i ka ofruar rreth 106 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën. Nga kjo shumë Shtetet e Bashkuara kanë siguruar më shumë se 56 miliardë dollarë./VOA

 

Fraksion.com