AktualitetTë fundit

I zbathur dhe i shtrirë në tokë, dalin pamjet e arrestimit të Marklen Hakës

Policia e Shtetit ka shpërndarë pamjet e momentit kur kanë vënë në pranga të shumëkërkuarin Marklen Haka.

Uniformat blu, në një njoftim për mediat thonë se operacioni për kapjen e Hakës ka filluar që me datë 2 Shtator dhe vetëm sot, pas 4 ditësh është mundur të finalizohet.

“Si rezultat i këtij operacioni, në afërsi të Liqenit të Bacungut, Nikël, Krujë, ditën e sotme, është bërë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit Marklen Haka alias Marklen Aliu. Gjatë operacionit janë shoqëruar dhe persona të tjerë të cilët po verifikohen nga strukturat e Policisë. Në objektin ku është lokalizuar shtetasi Marklen Haka alias Marklen Aliu, është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë”, njoftoi policia.

Operacioni është koduar “Liqeni i Bacungut” për shkak të vendndodhjes se banesës ku fshihej Haka. 33-vjeçari sapo ka kuptuar që po ndërhyjnë forcat RENEA, ka tentuar të arratiset këmbëzbathur, por u arrestua.

Bashkë me të janë dhe 4 persona të tjerë të ndaluar, por ende nuk ka një akuzë ndaj tyre. Të pyetur se kujt i përket arma e gjetur në banesë, ata nuk kanë pranuar të jetë e ndonjërit prej tyre. Për këtë arsye pritet të komunikohet akuza e armëmbajtjes pa leje.

Ndërkohë Marklen Haka akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit, pjesëmarrës në grup kriminal dhe armëmbajtje pa leje.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com