AktualitetTë fundit

Bota shënon 8-vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës. Festë zyrtare në Shqipëri!

Më 5 shtator 2016, botës i shtua një shenjtor, ajo është Nënë Tereza, sot Shenjta Terezë. Sot është dita e shenjtërimit të saj, ku në një ceremoni madhështore në Sheshin Shën Pjetri në Vatikan, Papa Françesku, njohu dy mrekullitë e saj, të shërimit të të sëmurëve pas vdekjes së saj më 1997.

Ajo u bë e përjetshme në shenjtërinë e saj përmes një ceremonie madhështore në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan. Dy janë mrekullitë të njohura botërisht që i hapën rrugën shenjtërimit të murgeshës shqiptare.

E para ishte dëshmia e Monika Besra, nëna e 5 fëmijëve. Ajo është shprehur se lutja përpara ikonës në Nënë Terezës e shëroi nga sëmundja e tumorit në stomak.

Mrekullia e dytë u njoh në vitin 2015 nga Papa Françesku. Një 25-vjeçar nga Brazili konfirmoi se falë murgeshës shqiptare ishte kuruar nga tumori në tru.

Murgesha ‘u lumturua’ po ashtu në tetor të vitit 2003, nga Papa Gjon Pali II. Ai miratoi mrekullinë e parë pas vdekjes së saj.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përmes një rezolute të veçantë caktoi 5 Shtatorin, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.

Kur mori çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979 ajo bëri këtë apel:

“Shkatërrimtari më i madh i paqes së sotme është thirrja e një fëmije të pafajshëm ende të palindur. Nëse një nënë vret fëmijën që mban në barkun e saj, atëherë çfarë mbetet për ty dhe mua?”

Nënë Tereza ose Shenjt Tereza e Kalkutës lindi në Shkup në vitin 26 gusht 1910. Emri i saj i lindjes është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu. Ajo vizitoi Shqipërinë për herë të parë në gusht të vitit 1989.

“Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”, janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, që jetën e saj ia përkushtoi të varfërve.

Shenjt Tereza, por që në mbarë botën thirret Nënë Tereza, një grua me fytyrë të imët, të rrudhur, të plakur, pushtoi imagjinatën e botës me përkushtimin e saj ndaj të varfërve, veçanërisht në qytetin indian të Kalkutës, ku ajo fillimisht themeloi strehimoren e saj të parë.

Shenjt Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë, në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve e motrave më të varfër të botës, pa dallim race, feje, kombësie apo përkatësie shoqërore.

 

Fraksion.com