“Nuk arrita ta shoh autorin”, atentati në Don Bosko, dëshmia e të plagosurve: S’kemi pasur konflikte!
“Nuk kam konflikte me askënd”, ka deklaruar në dëshminë e tij Kastriot Elezi, që dyshohet se ishte shënjestra e atentatit të një ditë më parë në zonën e “Don Boskos”.
Mësohet se para hetuesve, të plagosurit kanë deklaruar se nuk kanë dyshime se pse u qëllua me armë zjarri drejt tyre dhe se nuk kanë asnjë konflikt.
Për Policinë, Ronaldo është shprehur se nuk ka mundur të dallojë autorët, pasi gjithçka ndodhi shumë shpejt.
“Ata të lokalit ku ndodhi ngjarja i njoh, pasi kam punuar para ca kohësh si kamarier aty. Autorët nuk munda t’i shoh. Gjithçka ndodhi shpejt, vetëm kur ndjeva se diçka më shpoi në këmbë, e kuptova se isha qëlluar”.
Tre persona dyshohet se ishin të përfshirë në atentatin në “Don Bosko”, ku mbetën të plagosur Kastriot Elezi dhe Ronaldo Metushi.
Aktualisht policia vijon hetimet dhe ende është në fazën e verifikimeve të provave.
Policia po ekzaminon makinën e dyshuar të autorëve, që u gjet e djegur pak minuta pas ngjarjes, në zonën e Kamzës, si dhe pistoletën me silenciator për të gjetur të dhëna për autorët. Po ashtu, po kqyren kamerat e sigurisë, që kanë kapur të gjithë ngjarjen.
Sa i përket autorëve, dyshohet se janë vrasës me pagesë.
Fraksion.com