AktualitetPolitikëTë fundit

MM: Shuhen 31 vatra zjarri në 24 orë, situatë problematike në qarkun Lezhë

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile, në 24 orët e fundit në vend janë raportuar 36 vatra zjarri. Nga këto janë shuar 31 vatra zjarri, ndërsa pesë të tjera janë ende aktive.

Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur sot se, pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e vatrave në bashkitë: Tiranë, Kamzë, Durrës, Kavajë, Krujë, Mat, Rogozhinë, Lushnje, Roskovec, Vlorë, Dimal, Skrapar, Himarë, Prrenjas, Vau-Dejës, Shkodër, Dibër dhe Malësi e Madhe.

Aktualisht, po punohet në qarkun e Lezhës, në fshatin Shëngjin, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë. Zjarri vazhdon të jetë aktiv më intensitet të lartë në një sipërfaqe me pishë dhe shkurre. Terreni është shumë i vështirë dhe në pjesën më të madhe nuk mundëson ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse. Forcat operacionale janë në terren dhe po punojnë për shuarjen e tij.

Gjithashtu po punohet midis fshatit Mal i Bardhë dhe Skuraj, njësia administrative Milot, bashkia Kurbin. Zjarri është aktiv me intensitet të ulët dhe kryesisht digjet humus, pa patur rrezik për përhapje. Rrezik për banesa nuk ka. Situata është nën monitorim.

Në qarkun e Kukësit, në fshatin Surroj, njësia administrative Surroj, bashkia Kukës, ka vijuar puna për izolimin dhe shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore, më datë 20.08.2024. Në terren po punojnë forca të njësisë administrative dhe Shërbimi Pyjor. Nuk ka rrezik për banesa, situata është nënë monitorim.

Në fshatin Barrë, njësia administrative Arrën, bashkia Kukës, riaktivizim i zjarrit në sipërfaqe me shkurre. Nuk paraqet rrezik për banesa. Situata është nën monitorim.

Në qarkun e Vlorës, në fshatin Sopot, njësia administrative Delvinë, bashkia Delvinë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre në majë të malit, por pa asnjë mundësi për ndërhyrje. Nuk paraqet rrezik për banesa. Forcat operacionale po mbajnë në monitorim vatrën e zjarrit.

 

Fraksion.com