Krizë ndëretnike: Gjuha shqipe rrezikon të zhbëhet në Maqedoninë e Veriut
Një sulm i hapur ndaj të drejtave themelore të shqiptarëve po zhvillohet këto ditë në Maqedoninë e Veriut. Gjykata Kushtetuese, në një lëvizje që shumë e shohin si provokuese dhe të rrezikshme, ka filluar shqyrtimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Ky ligj, i miratuar në 2019, i jep gjuhës shqipe statusin e merituar të gjuhës zyrtare krahas maqedonishtes në zonat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20% të popullsisë. Më shumë se një akt juridik, ky ligj është shtylla kurrizore e të drejtave të shqiptarëve në vend, një garanci e fituar me mund dhe sakrificë pas konfliktit të 2001-shit.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, ka hedhur benzinë në zjarr me deklaratën e tij se ligji mund të shfuqizohet ose të rishikohet, duke pretenduar se ka krijuar “kaos juridik”. Por çfarë kaosi më të madh mund të ketë sesa mohimi i të drejtave themelore të një popullsie të tërë?
Reagimi i partive shqiptare ka qenë i menjëhershëm dhe i fuqishëm, siç edhe duhet të jetë përballë një sulmi të tillë. Koalicioni VLEN e ka quajtur këtë nismë “një përpjekje për grusht shteti”. Dhe vërtet, çfarë tjetër mund të jetë përveçse një grusht shteti kundër shqiptarëve dhe të drejtave të tyre?
Fronti Evropian ka paralajmëruar se çdo ndryshim i ligjit do të ishte një kthim prapa në kohë, para Marrëveshjes së Ohrit. Ky paralajmërim nuk duhet injoruar. A jemi vërtet gati të hedhim poshtë dy dekada përparim dhe të rrezikojmë paqen e brishtë të ndërtuar me aq mund?
Është e papranueshme që në shekullin e 21-të, në një vend që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, të vihet në dyshim e drejta themelore e një komuniteti për të përdorur gjuhën e vet. Gjuha shqipe nuk është thjesht një mjet komunikimi; është identiteti, kultura dhe historia e një populli të tërë.
Heshtja e partive kryesore maqedonase në këtë çështje është shqetësuese dhe tregon një mungesë të thellë përgjegjësie. Duke lejuar këtë sulm, ata po rrezikojnë vetë themelet e shtetit të tyre?
Komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht BE-ja dhe SHBA-ja, duhet të ndërhyjnë menjëherë!
Është koha të ngrihen shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe të gjithë ata që besojnë në drejtësi dhe barazi. Nuk mund të lejojmë që të drejtat tona, të fituara me aq sakrificë, të shkelen me këmbë.
Maqedonia e Veriut duhet të zgjedhë: Do të ecë përpara si një shtet modern, multietnik dhe demokratik, apo do të kthehet në errësirën e nacionalizmit të ngushtë? Përgjigja e kësaj pyetjeje do të përcaktojë jo vetëm fatin e shqiptarëve në vend, por edhe të ardhmen e vetë shtetit./gazetareforma.com