Fredi Beleri lirohet me kusht nga burgu
Gjykata e Fierit ka marrë vendimin për lirimin nga burgu të eurodeputetit, Fredi Beleri.
Gjykata e Fierit e pranoi kërkesën e avokatit, pas tri seancash të dështuara, ku Beleri kërkonte lirimin me kusht.
Pas dy orësh qëndrimi në Gjykatën e Fierit, trupi gjykues ka vendosur për lirimin me kusht të Fredi Belerit, i cili ka edhe gjashtë javë deri në përfundimin e dënimit.
“E pranoi kërkesën gjykata, urdhëroi lirimin para kohe, i mbeteshin edhe 6 javë, respekte për gjykatën, lirimi para kohe me kusht, dy muaj i kishin mbetur. Pronari që i ka çelësat e burgut dha leje pas zgjedhjeve që të dali”, tha avokati i Belerit, Geni Gjyzari.
Beleri është dërguar në burgun e sigurisë së lartë në Fier për përfundimin e procedurave të nevojshme dhe më pas do të lirohet.
Fredi Beleri është dënuar me 2 vite burgim për korrupsion zgjedhor në zgjedhjet e 14 Majit 2023 në Himarë, teksa sipas dy shkallëve të GJKKO u provua se pagoi 400 euro për 8 vota.
Belerit i kishin mbetur dhe 6 javë deri në shlyerjen e dënimit prej 2 vitesh burg, të cilin e mori për korrupsion zgjedhor.