Izraeli gjen trupat e 6 pengjeve në Gaza
Ushtria e Izraelit tha të dielën se gjeti trupat e gjashtë pengjeve në një tunel në Gazën jugore, ku me sa duket u vranë jo shumë kohë përpara se të arrinin forcat izraelite.
“Sipas vlerësimit tonë fillestar, ata u vranë brutalisht nga terroristët e Hamasit pak kohë para se të arrinim”, tha në një konferencë për shtypin zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.
Trupat e pengjeve Carmel Gat, Hersh Goldberg-Polin, Eden Yerushalmi, Alexander Lobanov, Almog Sarusi dhe Ori Danino, u gjetën nën tokë në qytetin Rafah dhe janë kthyer në Izrael, tha ai.
“Zemra e një kombi të tërë është bërë copash”, tha Presidenti Isaac Herzog, posti i të cilit është kryesisht ceremonial. “Unë i përqafoj familjet e tyre me gjithë zemër dhe kërkoj falje që nuk arrita t’i sjell në shtëpi të sigurt”.
Gjetja e trupave nxiti thirrje për protesta masive kundër kryeministrit Benjamin Netanyahu, të cilin shumë izraelitë e fajësojnë për dështimin për t’i rikthyer ata gjallë duke arritur një marrëveshje me Hamasin, për t’i dhënë fund luftës 10-mujore. Negociatat për një marrëveshje të tillë janë zvarritur për muaj të tërë.Kryeministri Netanyahu tha se Izraeli do ta mbajë Hamasin përgjegjës për vrasjen me gjakftohtësi të pengjeve dhe fajësoi grupin militant për negociatat e ngecura, duke thënë se “kushdo që vret pengjet, nuk dëshiron një marrëveshje”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i cili ka ndjekur nga afër fatin e pengjeve të kapur më 7 tetor, tha se në mesin e të gjeturve është edhe shtetasi amerikano- izraelit Goldberg-Polin.
“Jam i dërmuar dhe i zemëruar”, tha presidenti Biden në një deklaratë të publikuar nga Shtëpia e Bardhë.
Zyrtari i lartë i Hamasit, Izzat El-Reshiq tha se përgjegjës është Izraeli me refuzimin e tij për të nënshkruar një marrëveshje armëpushimi.
Ditë më parë, pengu Kaid Farhan Alkadi, një anëtar i komunitetit beduin në Izraelin jugor, u shpëtua rreth një kilometër larg, tha zëdhënësi Hagari.
Pasi u gjet zoti Alkadi, trupave iu tha të ishin të kujdesshëm sepse pengje të tjerë mund të ishin në zonë, por nuk kishte asnjë informacion të saktë për vendndodhjen e tyre, tha ai.
Gjashtë trupat e gjetur ishin në mesin e rreth 250 pengjeve të marra në sulmin e Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, që shkaktoi luftën në Gaza. Rreth 1200 njerëz u vranë në sulm, sipas të dhënave izraelite.
Që atëherë, të paktën 40,691 palestinezë janë vrarë dhe 94,060 janë plagosur në ofensivën ushtarake të Izraelit në Gaza, tha të shtunën ministria e Shëndetësisë e enklavës.
Lajmet e së dielës ka të ngjarë të nxisin protesta të mëtejshme nga izraelitët që kërkojnë një marrëveshje për lirimin e pengjeve.
Forumi i Familjeve të Pengjeve i bëri thirrje kryeministrit Netanyahu të marrë përgjegjësinë dhe të shpjegojë se çfarë po e pengonte një marrëveshje.
“Ata u vranë të gjithë në ditët e fundit, pasi mbijetuan pothuajse 11 muaj abuzimi, torture dhe urie në robërinë e Hamasit. Vonesa në nënshkrimin e marrëveshjes ka çuar në vdekjen e tyre dhe të shumë pengjeve të tjerë”, thuhet në një deklaratë të forumit.
Hersh Goldberg-Polin, i cili u mor peng në një festival muzikor pranë Gazës, u shfaq në një video të publikuar nga Hamasi në fund të muajit prill.
“Ai sapo kishte mbushur 23 vjeç. Ai planifikoi të udhëtonte nëpër botë”, tha presidenti Biden. Prindërit e tij, Rachel Goldberg dhe Jon Polin, “kanë qenë të guximshëm, të zgjuar dhe të palëkundur, ndonëse kanë duruar të paimagjinueshmen”, tha ai.
Presidenti Biden u zotua se “udhëheqësit e Hamasit do të paguajnë për këto krime. Ne do të vazhdojmë të punojmë pa u ndalur për një marrëveshje për të siguruar lirimin e pengjeve të mbetura”, tha ai.
Më herët, duke folur me gazetarët në Delaware, presidenti Biden tha se ishte “ende optimist” për një marrëveshje armëpushimi për t’i dhënë fund konfliktit./voa
Fraksion.com