AktualitetTë fundit

“I vuri flakën bashkëshortes në Korçë”, ministri Hoxha: Akt i papranueshëm, qytetarët të denoncojnë dhunën

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka reaguar për ngjarjen e rëndë në Korçë, ku Bledar Trëndafili i vuri flakën bashkëshortes Melisa Trëndafili, duke e djegur në më shumë se 1/3 e trupit.

Ministri Hoxha shprehet se ngjarje të tilla janë të papranueshme. Ai tha se dhuna në familje fatkeqësisht është një plagë e shoqërisë shqiptare. Hoxha iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, që të denoncojnë rastet e dhunës, qofshin në familje apo në shoqëri.

Ngjarja e rëndë e ndodhur dje në Korçë, ku një bashkëshort në proces divorci, tentoi të djegë me benzinë gruan e tij, është një akt i papranueshëm që na kujton se dhuna në familje është ende një problem që nuk mund të injorohet e që kërkon reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse dhe nga e gjithë shoqëria.

Ngjarje të tilla janë një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe një apel i fortë për të siguruar mbrojtje më të fuqishme për të gjithë ata që vuajnë nga dhuna në familje, sidomos për të miturit, vajzat dhe gratë.

Jam i bindur se, për të parandaluar dhe trajtuar raste të tilla nuk mjafton vetëm reagimi i institucioneve përkatëse, por dhe solidariteti e sensibilizimi i shoqërisë tonë, në mënyrë që askush të mos i nënshtrohet një trajtimi të tillë të papranueshëm, si rasti i Korçës.

Ndaj u bëj thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast të dhunës në familje dhe të bashkëpunojnë me autoritetet, për t’u siguruar që ata, të cilët kryejnë këto akte, të përballen me pasojat e veprimeve të tyre, ashtu siç do të përballet dhe autori i ngjarjes së djeshme!

Si ministër i Brendshëm shpreh mbështetjen time më të madhe për viktimat e dhunës në familje dhe angazhimin tim për të punuar parreshtur për një shoqëri, ku secili të ndjehet i ndjehet i sigurt dhe i respektuar.

Duke i uruar shërim sa më të shpejtë zonjës – viktimë e dhunës në familje dje në Korçë – shpreh angazhimin tim për të forcuar mekanizmat e mbrojtjes dhe mbështetjes së duhur për viktimat si ajo, dhe ftoj edhe institucionet e tjera përgjegjëse të veprojnë shpejt e në përputhje me politikat e qeverisë sonë për luftën ndaj dhunës në familje.

 

Fraksion.com