Situata e tensionuar, Petkoviç: Autoritetet e Kosovës duan ta tërheqin Serbinë në konflikt
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, i akuzoi autoritetet e Kosovës për “luftënxitje”, duke thënë se “misioni i tyre obsesiv” është që “ta tërheqin Serbinë në konflikt me NATO-n”.
Komentet vijnë një ditë pasi autoritetet në Kosovë mbyllën pesë institucione paralele serbe në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.
Sipas tyre, ato udhëhiqeshin nga Serbia dhe cenonin kushtetutshmërinë dhe ligjet e Kosovës
Veprimi nxiti reagimin e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera perëndimore, të cilat e cilësuan si “të pakoordinuar” me aleatët perëndimorë dhe me rrezik për sigurinë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se është “i shqetësuar me dhunën” dhe për “shkeljen e përsëritur të të drejtave të serbëve”.
Në komunikatën lëshuar mediave, Petkoviç kritikoi, po ashtu, pjesëmarrjen e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në forumin e sigurisë, Globsec, që po zhvillon punimet në Pragë.
Sipas tij, është e pabesueshme që përfaqësuesit e komunitetit politik dhe akademik evropian, të mbledhur në Globsek, “tolerojnë praninë e përfaqësuesve të Prishtinës në një forum që duhet të merret me paqen dhe sigurinë në kontinentin tonë”.
Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë në margjina të këtij forumi, Osmani tha se veprimet e Kosovës për shtrirje të sovranitetit janë legjitime, por shtoi se suksesi i tyre varet nga bashkëpunimi me aleatët.
Kosova i cilëson institucionet komunale serbe në vend si të paligjshme.
Por, aleatët perëndimorë i kërkojnë asaj që të gjitha çështjet që lidhen me situatën në veri, t’i trajtojë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Për shuarjen e institucioneve paralele serbe, dy vendet kanë arritur një marrëveshje në vitin 2013, por se zbatimi i saj ka ngecur.
Qeveria e Kosovës me në krye Albin Kurtin insiston tani se është duke shtrirë rendin dhe ligjin edhe në veri.
Ajo ka paralajmëruar se planifikon ta hapë për qarkullimin e makinave edhe urën mbi lumin Ibër në Mitrovicë, që e ndan këtë qytet në jugun e banuar me shumicë shqiptare dhe veriun e banuar me shumicë serbe.
Misioni paqeruajtës i NATO-së në Kosovë, KFOR, përsëriti të shtunën se është “i përkushtuar të kontribuojë në sigurinë dhe stabilitetin” për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.
Fraksion.com
.