AktualitetBota+Të fundit

Rusia sulmon Kharkivin, 7 të vrarë dhe 77 të plagosur

Një sulm rus me bomba me vetëdrejtim në qytetit Kharkiv, në pjesën verilindore të Ukrainës, goditi një ndërtesë banimi dhe një park fëmijësh, duke vrarë 7 persona dhe plagosur 77 të tjerë, sipas zyrtarëve.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ndër të vdekurit ishte një vajzë 14-vjeçare. Kryebashkiaku Ihor Terekhov njoftoi në platformën Telegram se një fëmijë ishte vrarë në park. Tre persona u vranë në ndërtesën 12 katësh banimi, që u përfshi nga zjarri si rezultat i sulmit, tha ai.

Rreth 20 persona janë në gjendje të rëndë, sipas guvernatorit rajonal Oleh Syniehubov. Një pjesë e ndërtesës banesore ishte djegur, ndërkohë që katet e larta të ndërtesës ende po digjeshin. Disa vetura të parkuara para ndërtesës po ashtu ishin djegur.

Shërbimet e emergjencave dhe ekipet e shpëtimit nxituan në vendin e ngjarjes për t’u ofruar ndihmë të mbijetuarve. Trupi i një viktime, i mbuluar me një qilim, qëndronte në tokë para ndërtesës, i rrethuar nga forcat policore.

Banorë të të gjitha moshave, disa të përgjakur dhe të hutuar, ishin ulur në stolat e parkut apo po qëndronin aty pranë ndërsa punonjësit e ndihmës së parë po trajtonin plagët e tyre.

Autoritetet nuk dhanë detaje se si vdiqën viktimat e tjera nga sulmet, që goditën katër lagje të qytetit.

Kharkivi ka qenë në shënjestër të bombardimeve të ashpra ruse që nga fillimi i luftës, ndonëse në javët e fundit intensiteti i sulmeve është ulur, ndoshta për shkak të sulmit të befasishëm të forcave ukrainase në rajonin e Kurskut, në brendësi të Rusisë.

Zjarrfikësit ukrainas mundohen të shuajnë flakët në pallatet e goditura në Kharkiv (30 gusht 2024)
Zjarrfikësit ukrainas mundohen të shuajnë flakët në pallatet e goditura në Kharkiv (30 gusht 2024)

Autoritetet ukrainase thanë të premten se sulmi ishte bërë nga bomba të lëshuara nga avionët rusë në rajonin Belgorod. Këto lloj predhash njihen ndryshe me emërtimin “bomba rrëshkitëse” dhe janë të pajisura me sistemin e tyre të navigimit.

Këto lloj armësh janë të vështira për t’u pikasur dhe janë shndërruar në një mjet të frikshëm luftimesh në Ukrainën lindore gjatë muajve të fundit, duke shkaktuar edhe shkatërrim të gjerë.

Rusia mohon se vendos qëllimisht në objektiv civilët. Mijëra persona janë vrarë dhe plagosur në Ukrainë që kur filloi sulmi i forcave ruse në vitin 2022.

Pas sulmit në Kharkiv, Presidenti ukrainas Zelensky bëri sërish thirrje që aleatët perëndimorë t’ia lejonin Ukrainës përdorimin e armëve me rreze të gjata për të sulmuar bazat ajrore ruse./voa

 

Fraksion.com