AktualitetPolitikëTë fundit

Putin, përpjekje për të minuar demokracinë? Rama: Te ne nuk gjen spiunë

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Pragë, ku po merr pjesë në forumin GLOBSEC 2024.

Kreu i qeverisë mbajti fjalim në një prej tryezave me moderatorin Steve Clemons, ku u diskutua për temën “Rajoni nën rrethim: Brishtësia e Ballkanit Perëndimor”.

Ndër të tjera Rama theksoi se, Rusia nuk mund të gjejë spiunë apo njerëz në Shqipëri që të përmbushë interesat e saj, ndërsa shtoi rëndësinë që ka për Europën dhe NATO-n, integrimi i Ballkanit Perëndimor në këto struktura.

“Dëgjoni, për shkak të historisë sonë ne kemi qenë “Koreja e Veriut” e Europës. Ky qytet, Praga, për ne ka qenë po aq i paarritshëm sa Uashingtoni dhe Parisi kur ishim nën regjimin komunist, sepse regjimi ynë i konsideronte qoftë Perëndimin, dhe Lindjen, qoftë imperializmin amerikan e socialimperializmin sovjetik, si anë të së njëjtës medalje. Kjo ka qenë historia jonë. Dhe kur rusët vendosën që ta hiqnin qafe Stalinin, ne vendosëm që t’i rrinim besnik Stalinit”, tha Rama.

“E thashë dhe më parë, ne e çojmë deri në fund. Kështu që edhe kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Bashkimi Europian nuk do të jenë, ne do të jemi po prapë aty, me ju, ashtu si ushtari japonez që ishte në pyll dhe nuk e dinte që lufta kishte marrë fund. Duke qëndruar te Stalini, duke qenë vend stalinist deri në vitet ’90, na bënte vendin më pak interesant për Rusinë në rajon. Merrni parasysh këtë që, që nga ‘90 deri më sot s’ka pasur një vizitë në Moskë të nivelit të lartë dhe as vizitë nga Moska dhe askënd s’e ka marrë malli për këtë. Ne nuk duam asnjë gjë të keqe për Rusinë” shtoi ai.

“Rusia është një vend i madh, është një kulturë fantastike. Nuk e kam kuptuar asnjëherë, meqë ra fjala, që si është e mundur që për shkak të agresionit në Ukrainë Dostojevksi ndalohet në disa prej universiteteve apo Stravinsky të ishte non-grata në disa trupa baleti. Kjo është pjesë e asaj pozite të keqe në të cilën jemi në një pjesë të botës tonë, por sa i përket Rusisë nuk jemi të interesuar, nuk ka oreks aty. Kështu që, Rusia nuk mund të gjejë shumë as spiunë apo njerëz, të cilët janë të gatshëm t’i shërbejnë Rusisë për pak para. Kështu që, Rusia, përzierja e saj në politikën tonë, kemi pasur disa gjëra, por asgjë të madhe”, nënvizoi Rama.

Fraksion.com