Nga Kosova kërkohet “gatishmëri për kompromis”
Veprimet e njëanshme të qeverisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe dhe synimi i saj për hapjen e urës mbi lumin Ibër ka rritur frekuencën e vizitave të shumë diplomatëve perëndimorë dhe ushtarakë të NATO-s në Prishtinë. Të gjithë njëzëri i kërkojnë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti të shmangë veprimet e njëanshme që mund të nxisin tensione të reja. Ndihmëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacione, Admirali Thomas Goffus gjatë vizitës së tij të enjten i tërhoqi vërejtjen autoriteteve kosovare se “veprimet e pakoordinuara, posaçërisht në veri të Kosovës, mund të rrisin rrezikun e dhunës, e cila cenon sigurinë e të gjithë njerëzve në vend dhe rrezikon trupat e KFOR-it”.
Goffus: Shtimi i trupave nuk është zgjidhja për paqen afatgjatë në Kosovë
“Gjatë vitit të kaluar ne kemi rritur numrin e trupave në Kosovë, në mënyrë që të adresojmë fatkeqësisht një ambient më sfidues të sigurisë dhe rishfaqjen e tensioneve. Kjo tregon edhe një herë përkushtimin e shpejtë të aleatëve të NATO-s dhe partnerëve që ta ruajnë sigurinë përgjatë Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi”, tha admirali Goffus, ai tërhoqi vëmendjen se “shtimi i trupave ushtarake, i domosdoshëm momentalisht, nuk është zgjidhje për një paqe afatgjate në Kosovë”. Zgjidhja është politike, theksoi Goffus. “Është esenciale që edhe Prishtina edhe Beogradi të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet e mbetura. Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të gjitha palëve, të implemtentojnë marrëveshjet e arritura pa vonesë”, tha Goffus. Në bisedimet me autoritetet kosovare, Goffus theksoi, se “është e rëndësishme të ketë koordinim me NATO-n për një sërë çështjesh përfshirë urën e Ibrit”.
Sarrazin: Na duhet kompromis
Për zgjidhje politike dhe kompromise ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit foli në Prishtinë edhe i dërguari i qeverisë së Gjermanisë për Ballkanin, Manuel Sarrazin, i cili të njëjtën ditë me admiralin e NATO-os, takoi në Prishtinë, Presidenten e Kosovës Osmani dhe kryeministrin Kurti. Sarrazin, në një deklaratë për media shprehu shqetësimin e tij, siç tha “me mungesën e gatishmërisë për kompromise, që do të mundësonin arritjen e një kthese ambicioze për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit”. “Për këtë na duhet kompromis dhe nganjëherë edhe gatishmëri për lëshime mbi pajtimin rreth marrëveshjeve politike që nuk janë të lehta për Serbinë dhe as për Kosovën”, tha ai. Sarrazin në ditët në vijim do të vizitojë disa vende të Ballkanit.
Procesi i Berlinit është një nismë e hedhur që në vitin 2014 nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, me synim thellimin e koordinimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo me qëllim mbështetjen e procesit të anëtarësimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian.
Shqetësim para samitit të Procesit të Berlinit në tetor
Sarrazin kujtoi fillesën e Procesit të Berlinit pesë vjet më parë, ku u hodh ideja për një treg të përbashkët rajonal dhe me planin e rritjes së Bashkimit Evropian. “Ideja është të mbledhim gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, me parimin e partnerëve të barabartë, së bashku drejt Bashkimit Evropian. Për këtë na duhet bashkëpunimi rajonal dhe na duhen rezultate konkrete për të gjithë qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Rezultate që tregojnë se kufijtë po bëhen më pak të rëndësishëm dhe tregtia, përparimi ekonomik e bashkëpunimi janë të rëndësishme në këtë drejtim”, tha Manuel Sarrazin. Sipas tij, Procesi i Berlinit e ka pozicionuar Tregun e Përbashkët Rajonal në qendër të ecurisë së Zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Nëse nuk kemi rezultate më të mira para samitit më 14 tetor brengosem se nuk do ta arrijmë synimin tonë për të dhënë një shenjë të fortë se bashkëpunimi rajonal, tregu i përbashkët dhe Procesi i Berlinit është formati që në këtë rajon mund të sjellë rezultate konkrete për qytetarët në terren”, tha i dërguari i qeverisë gjermane.
Sa i përket situatës së sigurisë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në njoftim për medie e theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes institucioneve kosovare të sigurisë e mbrojtjes me KFOR-in e NATO-n dhe koordinimin e vazhdueshëm. Duke mbrojtur veprimet e qeverisë së tij në veri të Kosovës Kurti tha se “progresi socio-ekonomik e demokratik i vendit ecën krah për krah me sundimin e rendit dhe ligjit”. “Gjatë këtyre tri vjetëve nën kërcënimet më të mëdha të sigurisë nga Serbia, kemi arritur progresin më të madh në demokraci dhe ekonomi, ndërkohë që edhe kemi zmbrapsur kërcënimet e menaxhuar suksesshëm sfidimin e sigurisë dhe paqes në vendin tonë. Ne mbrojmë jo vetëm qytetarët e territorin, sovranitetin dhe demokracinë, pavarësinë dhe lirinë, por edhe progresin e prosperitetin tonë”, tha kryeministri Kurti.
Vizita e Macron në Beograd
Për veprimet e qeverisë së Kosovës në veri, foli gjatë vizitës së tij në Beograd edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili tha se “lëvizjet e njëanshme” dhe “shqetësuese” të Kosovës nuk japin sinjal të mirë. Sipas tij, Franca është e përkushtuar që të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë, në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas presidentit francez, “kjo çështje nuk do të zgjidhet pa kompromis nga të dyja palët dhe, në përputhje me rrethanat, nëse nuk ka guxim politik për të arritur një zgjidhje”. Ai i bëri thirrje qeverisë së Kosovës “të mos bëjë ndonjë veprim tjetër të njëanshëm në veri”, duke theksuar se “Franca dëshiron që Kosova ta themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”. “Të jini të sigurt se Franca do të vazhdojë t’i ndjekë me vëmendje të veçantë kushtet në të cilat jeton komuniteti serb në Kosovë dhe, në këtë kontekst, jemi veçanërisht të përkushtuar për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, tha Macron.
Kosova dhe Serbia qysh në vitin 2013 dhe më pas në 2015, kanë arritur marrëveshje për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, janë hartuar propozime prej palëve të ndryshme, por Asociacioni nuk është themeluar asnjëherë. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje edhe për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit 2023, por zbatimi i saj ka ngecur.
Fraksion.com