Kurum hodhi në rrugë 500 punëtorë, Berisha thirrje për revoltë: Kompania të rishikojë vendimin!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar me forcë ndaj vendimit të kompanisë Kurum për të larguar 500 punëtorë nga puna.
Në një deklaratë para simpatizantëve të tij, Berisha ka bërë thirrje për revoltë dhe ka kërkuar nga kompania që të rishikojë vendimin e saj.
Në mesazhin e tij Berisha shprehu solidaritetin me punëtorët e ish-Metalurgjikut në Elbasan dhe e konsideroi largimin e tyre nga puna si një ndëshkim të padrejtë dhe të paarsyeshëm.
“Ndëshkimi i këtyre punëtorëve është një pasqyrë e dështimeve të qeverisë që ka hedhur përgjegjësinë mbi ata që nuk kanë lidhje me problemet e menaxhimit dhe krimeve ambientale,” tha Berisha. Ai e kritikoi qeverinë për “larjen e duarve nga përgjegjësia” dhe për përdorimin e punëtorëve si viktima të politikave të saj.
Berisha bëri thirrje që punëtorët të ngrihen në protestë për të kërkuar rivendosjen e vendeve të punës dhe për të dënuar, siç tha ai, “trafikun e lëndëve toksike” dhe keqmenaxhimin që ka ndodhur. Ai i ftoi edhe qytetarët e tjerë të mbështesin këtë protestë, duke i bërë thirrje që të qëndrojnë solidarë me ata që po përballen me këtë situatë të vështirë.
“Të dashur miq, sonte dua të përshëndes të gjithë punëtorët e metalurgjisë në Elbasan, ndërmarrjes Kurum. Iu bëj thirrje të ngrihen në revolta, sepse ndëshkimi i tyre për shkak të larjes së duarve nga çdo përgjegjësi e qeverisë së trafikut të helmeve, përmballjes së saj me kompaninë ku ata punojnë, nuk pranohet kurrë që ata të jenë viktimë e këtij qendrimi.
Ndaj edhe, i bëj thirrje edhe kompanisë të rishqyrtojë qendrimin e vetë. I bëj thirrje edhe qytetarëve të mbështesin protestën e punëtorëve të ndëshkuar për inate të qeverisë, të cilët nuk kanë asnjë lidhje, asnjë përgjegjësi, asnjë faj pse Edi Rama me ministret e tij bën trafikun e lëndëve toksike dhe bëhet lajm i zi në detra, oqeane dhe të dyfishtë, bën jetën e zyrës dhe jetën e krimit”, tha Berisha.
Fraksion.com