AktualitetBota+Të fundit

Kamala Harris thotë se mund të emërojë një republikan në kabinet, nëse zgjidhet

Kamala Harris i doli në mbrojtje të enjten disa ndryshimeve në politikat e saj që anojnë drejt qendrës dhe tha se ajo mund të emërojë një republikan në kabinet, nëse zgjidhet.

Komentet zonja Harris i bëri në intervistën e saj të parë për një rrjet të madh televiziv, që kur demokratët e emëruan atë si kandidate për presidente.

Mendoj se aspekti më i rëndësishëm dhe më domethënës i perspektivës dhe vendimeve të politikës sime është se parimet e mia nuk kanë ndryshuar“, i tha ajo gazetares së CNN-it Dana Bash gjatë intervistës, pjesë të së cilës u publikuan përpara se ajo të transmetohet e plotë në orën 21:00, me orën lokale të Uashingtonit.

Zonja Harris është pozicionuar më shumë drejt qendrës për disa çështje, që nga koha kur kandidoi për presidente në vitin 2020.

Ajo ka ashpërsuar qëndrimin e saj mbi emigracionin përgjatë kufirit jugor të SHBA-së me Meksikën. Ajo gjithashtu është tashmë kundër ndalimit të shpimeve, për nxjerrjen e naftës, falë së cilës punëson shumë njerëz në Pensilvani, një nga ato pak shtete, që do të jenë vendimtare në përcaktimin e rezultatit të zgjedhjeve.

Parimet e mia rreth asaj që duhet të bëjmë për të siguruar kufirin tonë – nuk kanë ndryshuar. Kam shërbyer dy mandate si prokurore e përgjithshme e Kalifornisë duke ndjekur penalisht organizata kriminale transnacionale, shkelësit e ligjeve amerikane, që kanë kryer trafik të paligjshëm të armëve, drogës dhe qenieve njerëzore përtej kufirit tonë, dhe parimet e mia nuk kanë ndryshuar”, tha ajo.

Intervista e zonjës Harris kishte për qëllim të tregonte se ajo i zotëronte të gjitha çështjet. Disa kritikë sugjerojnë se ajo mund të jetë më pak e rafinuar në mjedise ku nuk ka një fjalim të shkruar, pas një serie fjalimesh të fuqishme në fushatë, që kur mori në dorë stafetën e demokratëve për garën për Shtëpinë e Bardhë.

Zonja Harris, së bashku me kandidatin demokrat për nënpresident, guvernatorin e Minesotës, Tim Walz, diskutoi gjithashtu mbi mundësinë e futjes së një republikani në kabinetin e saj të mundshëm, duke thënë se ajo dëshironte një larmi mendimesh.

Mendoj se është e rëndësishme të kemi në tavolinën kur merren disa nga vendimet më të rëndësishme, njerëz që kanë pikëpamje e përvoja të ndryshme. Dhe mendoj se do të ishte në të mirën e publikut amerikan që të kishte një anëtar në kabinetin tim i cili ishte një republikane”, tha ajo.

Nënpresidentja Harris ka shmangur intervistat zyrtare dhe konferencat për shtypin gjatë ngritjes së saj të shpejtë për të kandiduar në emër të demokratëve për postin e presidentes.

 

Fraksion.com