Goffus: Rritja e numrit të trupave s’është zgjidhje për paqe afatgjate në Kosovë
Ndihmëssekretari i Përgjithshëm për Operacione i NATO-s, Thomas Goffus, ka thënë se rritja e numrit të trupave të misionit paqeruajtës të aleancës në Kosovë nuk është zgjidhje për paqe dhe stabilitet, dhe u bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit të angazhohen në dialogun e Brukselit për zgjidhjen e çështjeve.
Në një komunikatë për media pas përmbylljes së një vizite në Sarajevë dhe në Prishtinë nga 28-30 gusht, Goffus tha se qëllimi i vizitës ishte ta ritheksojë përkushtimin afatgjatë të NATO-s për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Goffus u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me kryeministrin Albin Kurti.
“Gjatë vitit të fundit, ne e kemi rritur numrin e trupave në Kosovë, fatkeqësisht për shkak të një sfide më të madhe të sigurisë dhe të tensioneve të përsëritura. Derisa tani për tani fatkeqësisht është e nevojshme, shtimi i trupave nuk është zgjidhja për paqe dhe stabilitet afatgjatë në Kosovë”, tha ai.
Veriu i Kosovës mbetet i tensionuar prej fillimit të vitit 2023, kur u mbajtën protesta kundër vendosjes së kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në atë pjesë. Situata u tensionua edhe më shumë pas vrasjes së një oficeri të Policisë së Kosovës nga një grup serbësh të armatosur më vonë atë vit.
Qeveria e Kosovës u kritikua për vendimet e këtij viti për ta ndaluar dinarin serb, për mbylljen e disa degëve të Postës së Serbisë në veri dhe për synimet e saj për ta hapur këtë kohën kryesore mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën me shumicë shqiptare në jug dhe atë me shumicë serbe në veri.
Goffus tha se zgjidhja është “politike”, dhe shtoi se “është thelbësore” që Prishtinë dhe Beogradi të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për t’i zgjidhur çështjet mes tyre.
“Siç e kemi parë, veprimet e pakoordinuara dhe të papritura, posaçërisht në veri, mund të rrisin rrezikun e dhunës, e cila minon sigurinë e të gjithë njerëzve në Kosovë dhe e rrit rrezikun me të cilin përballen trupat e KFOR-it”, shtoi ai.
Ai nënvizoi se veprimet e tilla i shtojnë shqetësimet e aleatëve dhe partnerëve të NATO-s për stabilitetin e rajonit, për sigurinë në Kosovë dhe për sigurinë e trupave të tyre.
Qeveria e Kosovës njoftoi në fillim të gushtit synimet e saj për ta hapur urën mbi lumin Ibër edhe për qarkullim të automjeteve, pasi ajo është e hapur vetëm për këmbësorë. Kjo u kundërshtua nga Shtetet e Bashkuara, BE-ja, por edhe vetë misioni i aleancës ushtarake, KFOR.
Por këtë javë, kryeministri Kurti tha se Qeveria e tij është duke i vazhduar konsultimet dhe diskutimet me aleatët në lidhje me hapjen e urës.
Goffus tha se koordinimi “efektiv dhe në kohë të duhur” me NATO-n dhe bashkësinë ndërkombëtare është “jetik”.
“Ketë ua kam theksuar të gjithë bashkëbiseduesve të mi sot. Kjo vlen edhe për mori çështjesh, përfshirë urën mbi Ibër, ku KFOR-i është i pranishëm”, shtoi ai.
Zveçani dhe Banjska
Më 29 maj të vitit 2023, protestat e serbëve në veri të Kosovës, kundër vendosjes së kryetarëve shqiptarë në katër komunat atje, kulmuan me përleshje me pjesëtarët e KFOR-it.
Gjatë përleshjeve, 93 pjesëtarë të KFOR-it u lënduan, disa prej të cilëve kishin lëndime të rënda.
Duke folur në lidhje me këtë, Goffus tha se “burra e gra të NATO-s pësuan sulme të papranueshme dhe të paprovokuara”.
Në shtator të atij viti, një grup serbësh të armatosur e sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në luftimet që pasuan u vranë tre sulmues serbë.
Përgjegjësinë për sulmin e mori më vonë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Për sulmin, Kosova fajëson Serbinë, por Beogradi mohon se ka gisht në të.
Goffus theksoi se pret që përgjegjësit e këtyre sulmeve në Zveçan dhe në Banjskë të japin përgjegjësi.
NATO ua ka bërë të qartë këtë edhe Beogradit, edhe Prishtinës”, nënvizoi ai.
Në fund, ai përsëriti dhe veprimet e pakoordinuara dhe në kohë të gabuar, së bashku me retorikat përcarëse, nxisin tensione dhe e rrezikojnë stabilitetin dhe paqen në Kosovë.
“Në këtë kohë kritike për sigurinë evropiane, ne duhet të sigurohemi të punojmë së bashku në mënyrë të besueshme. NATO-ja do ta luajë rolin e vet”, përfundoi ai./REL
Fraksion com