AktualitetPolitikëTë fundit

Vengu pret ambasadorët e Izraelit dhe Holandës për Çështjet Kibernetike

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu priti në takime të veçanta ambasadoren e Izraelit, Galit Peleg dhe atë të Mbretërisë së Holandës për Çështjet Kibernetike, Ernest Noorman.

Ambasadorja izraelite Peleg uroi ministrin për detyrën e re dhe e informoi mbi zhvillimet e fundit të sigurisë në rajon ku dhe falënderoi Shqipërinë për mbështetjen e dhënë.

Ministri e siguroi ambasadoren se Shqipëria, edhe për shkak të marrëdhënieve të veçanta historike që ka me popullin izraelit, po e ndjek me vëmendje situatën e sigurisë dhe rikonfirmoi qëndrimet e shprehura nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në emër të Shqipërisë, si dhe solli në vëmendje se jetët njerëzore janë të shtrenjta dhe duhet bërë maksimumi për shpëtimin e tyre.

Thellimi i bashkëpunimit bilateral në fushat si: inovacioni, mbrojtja kibernetike, siguria detare dhe menaxhimi i burimeve njerëzore ishin disa nga temat, që u diskutuan në takim duke inkurajuar stafet respektive për shkëmbimin dhe ndarjen e praktikave më të mira ndërmjet tyre.

Në takimin me ambasadorin holandez për Çështjet Kibernetike, Ernest Noorman, u fol kryesisht për sigurinë kibernetike.

Ambasadori Norman e informoi ministrin mbi strukturën organizative dhe komanduese që ka ngritur vendi i tij për adresimin e çështjeve të mbrojtjes kibernetike në nivel kombëtar.

Ministri Vengu e falënderoi ambasadorin për asistencën e ofruar nga Holanda në fushën e Mbrojtjes Kibernetike dhe inkurajoi intesifikimin e shkëmbimit të informacionit dhe eksperiencës në nivel ekspertësh.

 

Fraksion.com