Zemërim pasi Macron refuzoi qeverinë e majtë në Francë
Presidenti francez Emmanuel Macron ende nuk ka emëruar një kryeministër të ri për t’i dhënë fund bllokadës politike. Në përgjigje, Jean-Luc Mélenchon, kreu i LFI, bëri thirrje për një “mocion shkarkimi”.
Presidentifrancez ende nuk ka emëruar një kryeministër të ri, duke ngjallur zemërimin e aleancës së krahut të majtë që fitoi zgjedhjet legjislative në fillim të kësaj vere.
Emmanuel Macron hodhi poshtë të hënën idenë e emërimit të një qeverie të majtë për të thyer bllokadën politike të vendit, një veprim që zemëroi aleancën e majtë të vendit.
Macroni tha se formimi i një qeverie të krahut të majtë do të kërcënonte “stabilitetin institucional”, në komente që zemëruan Frontin e Ri Popullor (NFP).
Aleanca e majtë përbëhet nga France Insoumise (LFI), socialistët, komunistët dhe të Gjelbërit. NFP mori numrin më të madh të vendeve në zgjedhjet legjislative që u zhvilluan në fillim të verës.
Udhëheqësja e të Gjelbërve, Marine Tondelier tha se deklarata e Macronit ishte një turp, duke shtuar se ai nuk ishte në dijeni të rezultateve të zgjedhjeve. Kryetarja e grupit parlamentar France Insoumise, Mathilde Panot, madje e kërcënoi Macronin se do ta shkarkonte.
Zgjedhjet e parakohshme që lënë më shumë pyetje sesa përgjigje
Zgjedhjet legjislative u mbajtën në Francë më 30 qershor dhe 7 korrik, pasi Macroni shpalli zgjedhje të parakohshme që rezultuan në një parlament të ri. Asambleja Kombëtare me 577 mandate u nda midis aleancës NFP me më shumë se 190 mandate, e ndjekur nga grupi qendror i Macronit me rreth 160 mandate dhe Tubimi Kombëtar i lideres së ekstremit të djathtë francez Marine Le Pen me 140 vende.
NFP thotë se ka të drejtë të formojë një qeveri, por partitë e qendrës dhe të krahut të djathtë kanë premtuar se do ta refuzojnë atë në një votëbesim të mundshëm.
Macroni argumentoi se ai nuk mund të zgjidhte një kryeministër që do t’i nënshtrohej një mocioni mosbesimi në Parlament.
“Përgjegjësia ime është që vendi të mos jetë as i bllokuar dhe as i dobësuar”, deklaroi Macron në një deklaratë presidenciale të hënën, duke u bërë thirrje “të gjithë liderëve politikë të mobilizohen duke demonstruar një frymë përgjegjësie”.
LFI denoncon “grushtin e shtetit antidemokratik”
LFI reagoi me zemërim, me koordinatorin e saj kombëtar Manuel Bompard, që i quajti vërejtjet e Macronit një “grusht shteti të papranueshëm antidemokratik”.
Udhëheqësi i LFI, Jean-Luc Mélenchon bëri thirrje për një “përgjigje të fortë” nga publiku dhe politikanët, duke përfshirë një “mocion shkarkimi” kundër presidentit.
Udhëheqësi i Partisë Komuniste, Fabien Roussel, bëri thirrje për një “mobilizim të madh popullor” dhe përjashtoi një raund të ri negociatash.
Kreu i partisë së Gjelbër, Tondelier tha se “populli duhet të heqë qafe Macronin për hir të demokracisë, sepse ai përfaqëson kaosin dhe paqëndrueshmërinë”. “Ai është kaos dhe paqëndrueshmëri.”
Mbetet për t’u parë se kë do të zgjedhë Macroni si kryeministër, veçanërisht pasi atij do t’i duhet të sigurojë mbështetjen e një parlamenti të ndarë. Zhvillimet e së hënës sugjerojnë se nuk ka një fund të afërt të krizës politike franceze./DW
Fraksion.com