AktualitetPolitikëTë fundit

Hasani: Ligji i ri i Shërbimit të Jashtëm, energji për diplomacinë tonë

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani deklaroi sot se me organizimin e konferencës së Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024” ringjallet një traditë e dobishme për diplomacinë shqiptare.

Në fjalën e tij në konferencën ku është i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ambasadorë, krerë të posteve konsullore, si dhe personalitete të shtetit shqiptar e të huaj, ministri Hasani theksoi se “ligji i ri i Shërbimit të Jashtëm, synon t’i japë një energji të re diplomacisë sonë”.

Hasani tha se “shumë shpejt do të kemi edhe një ligj të ri të shërbimit me jashtë. Ky ligj nuk është hartuar thjesht për të hartuar diçka, por t’i shërbejë frymës së re dhe dinamikës që rrahim t’i japim punës e veprimtarisë diplomatike në çdo dimension, brenda e jashtë vendit, në marrëdhëniet dypalëshe dhe ato shumëpalëshe, me organizatat ndërkombëtare e tjerë. Mbi të gjitha, ligji nuk do të jetë streha e të paaftëve e mediokërve, po do të mbështesë e stimulojë gjithkënd që e do këtë profesion dhe i është përkushtuar me mish e me shpirt. Ndër shumë të tjera, ligji do të hapë dyert e shërbimit të jashtëm për gjithë shqiptaret e shqiptarët që punojnë në organizata ndërkombëtare duke u njohur meritat, punën dhe kontributin”.

“Diplomacia jonë është një organizëm i gjallë, shumëdimensional, i projektuar drejt së ardhmes, e cila vepron sipas parimit të enëve komunikuese jo vetëm me segmentet e tjerë të qeverisë e të shtetit, por edhe të mbarë shoqërisë, një ekip i aftë të përballojë sfidat komplekse të botës ku jetojmë dhe të ofrojë perspektiva. Pse Konferenca e Ambasadorëve mbahet sot pas tetë vjetësh? Ideja ishte të ringjallim një traditë të dobishme dhe t’i rikthehemi përvojës për të shkëmbyer mendime dhe bashkëvepruar mes gjymtyrëve të të njëjtit organizëm, duke sendërtuar një sinergji të domosdoshme mes tyre. E parë si një moment reflektimi dhe bilancesh të punës së përbashkët, Konferenca duhet të shërbejë si një instrument efektiv se çfarë duhet bërë më shumë dhe, ç’është më e rëndësishme, çfarë duhet bërë më mirë sot e në ditët në vazhdim. Dhe kjo konferencë do të jetë një takim i përvitshëm e nuk do të presim me vite për ta kujtuar si vegim”, theksoi Hasani.

Hasani u ndal tek arritjet e viteve të fundit në diplomaci.

“Politika e jashtme e Shqipërisë ka njohur rritje me rëndësi e të panjohura më parë: Këshilli i Sigurimit të OKB-së, kryesia e OSBE-së, Këshilli i të Drejtave të Njeriut në Gjenevë, samiti i vendeve të Europës Juglindore – Ukrainë, Presidenca e Procesit të Berlinit, e një seri e gjatë nismash rajonale; lista do të zgjatej ndaj po ndalem këtu. Sigurisht, këto arritje jo thjesht e vetëm i kanë dhënë një profil të ri imazhit të vendit në botë, por e kanë bërë diplomacinë gjithnjë e më pro aktive, çka na shtyn të ndihemi kryelartë në punën e veprimtarinë tonë, por, nga ana tjetër, edhe më të përgjegjshëm, më të vetëdijshëm dhe më kërkues ndaj vetes. Kjo do të thotë se tanimë nuk na lejohet ta ulim ritmin e punës dhe aq më pak të ngecim në vend”.

Gjatë këtij viti, vijoi Hasani, kam mundur të mbështetem tek ju dhe tek përkushtimi juaj për t’i shërbyer vendit tonë.

“Pavarësisht se ndonjëherë përballemi me erëra të pafavorshme dhe ngjarje të papritura, mendoj dhe mund të them se kemi ndërmarrë veprime reale dhe po ndërtojmë standarde të dobishme për veprim kolektiv”, tha ai.

Gjëja e dytë, tha Hasani, që doja të theksoja në nderimin e punës së bërë në këto vitet e fundit është multilateralizmi efektiv të cilin, edhe pse vend i vogël kemi ditur ta mbrojmë e të bëhemi aktorë.

“Megjithatë kjo nuk mjafton. Pritshmëritë janë të mëdha dhe përkushtimi juaj për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve tanë duhet t’i tejkalojë ato. Diplomacia jonë tashmë është veprimtaria e njerëzve me prejardhje të ndryshme, aftësitë e të cilëve janë formësuar jashtë përkatësisë së një trupi të vetëm. Ndaj edhe nisur nga përvoja dhe aftësitë e secilit prej jush, nga disa profesione, presim që t’i inkorporoni më mirë ato në shërbimin tonë të jashtëm, e kështu të na mundësoni të kemi një diplomaci më të shkathët, më të aftë dhe më të fortë. Po ashtu, është e rëndësishme që të kombinojmë aftësitë specifike të profesionit të diplomatit me njohuri të specializuara në fusha të tjera, teknologji dhe media sociale, dhe ku Ministria e Jashtme do të duhet të sigurojë një koordinim ndërministror duke zbatuar sinergji dhe njohuri efektive, por duke marrë qartësisht drejtimin”, nënvizoi Hasani.

Ministri Hasani tha se “së afërmi Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme do të ketë një strukturë të re, e cila, para së gjithash, rreh të përmirësojë punën dhe, gjithashtu, të zhdërvjelltësojë e intensifikojë marrëdhëniet mes dy gjymtyrëve kryesorë: Ministri dhe Përfaqësi, të cilat, në gjykimin tim, duhet të ushqejnë njëra-tjetrën me një energji të pandërprerë. Fragmentarizmi dhe refraktarizmi duhet t’i përkasin të shkuarës, ashtu si dhe mendësia e ndarjes në gjirin e këtij shërbimi në të privilegjuar dhe punëtorë me mëditje. Edhe pse nuk bëhet fjalë për një strukturë e re në ngrehinën e diplomacisë shqiptare, Akademia Diplomatike detyrimisht duhet të ketë një fytyrë dhe një përmbajtje të re dhe të shërbejë si një urë komunikimi e bashkëpunimi mes aktorëve të politikës së jashtme dhe shoqërisë civile e botës akademike”.