Fajon: Shqipëria dhe Sllovenia aleate të ngushta, forcim i bashkëpunimit ekonomik
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Republikës së Sllovenisë, Tanja Fajon deklaroi sot se “Sllovenia në veri dhe Shqipëria në jug të rajonit janë aleate të ngushta me njëra tjetrën”.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, Fajon tha se “Shqipëria dhe Sllovenia kanë pasur gjatë gjithë kohës marrëdhënie shumë të mira dhe ne kemi një interes akoma edhe më të fortë për të vazhduar më tej bashkëpunimin tonë në fusha të ndryshme, në fushën ekonomike, e cila mund të themi se është është fusha më e rëndësishme në bashkëpunimin tonë”.
Fajon theksoi se “zhvilluam bisedime së bashku patëm një takim të frytshëm së bashku në lidhje me aspektet pozitive në bashkëpunimet tona”.
“Jam shumë e e bindur edhe unë që do të kemi bashkëpunime të mëtejshme në fushën e ekonomisë dhe shpreh mirënjohjen dhe gatishmërinë për të nënshkruar së bashku memorandume dhe protokolle të ardhshme. Memorandumi i mirëkuptimit për turizmin është një dokument mjaft i rëndësishëm dhe do të nxisë më tej bashkëpunimin në këtë fushë kaq të rëndësishme”, nënvizoi Fajon.
Fajon u shpreh se “padyshim na duhet të krijojmë lidhje të tjera ajrore në të ardhmen dhe të gjitha këto përbëjnë një hap të rëndësishëm dhe pozitiv”.
Më tej Fajon bëri të ditur se në Durrës vitin e ardhshëm Sllovenia do të ketë konsullatën e saj .
“Mendoj se në këtë mënyrë do t’u ofrojmë të gjithëve mundësi të tjera. Bashkëpunimi ynë është fokusuar në fusha të ndryshme, Sllovenia është pjesë e mjaft projekteve zhvillimore në Shqipëri. Kemi ofruar asistencë në fushën teknike në kontekstin e integrimit në BE. Shqipëria ka marrë 1.3 milionë euro gjatë 5 viteve të fundit dhe jam e kënaqur që sot do të kem mundësi të vizitoj qendrën e teknologjisë dhe laboratorët e posaçëm që janë krijuar”, tha Fajon.
Fraksion.com