Një varkë me imigrantë është përmbysur në lumin Drina ndërmjet Serbisë dhe Bosnjës – 7 persona të zhdukur
Autoritetet serbe thanë të hënën se një varkë me imigrantë u përmbys teksa kalonte nga Serbia në Bosnjë, nëpër lumin Drina.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se policia serbe u njoftua rreth orës 5 të mëngjesit nga autoritetet në Bosnjë dhe nga një qytetar.
Ministri Daçiç tha se 18 imigrantë, në mesin e të cilëve tre fëmijë, arritën të kalonin në Bosnjë, ndërsa 25 persona ishin në varkë kur ajo u përmbys.
Zhytësit pritet t’i bashkohen kërkimit në lumin Drina, tha ai.
Imigrantët që shfrytëzojnë të ashtuquajturën rrugë tokësore ballkanike në përpjekjet e tyre për të arritur në Evropën Perëndimore, hyjnë në Serbi nga Bullgaria ose Maqedonia e Veriut përpara se të shkojnë në Hungari, Kroaci ose Bosnjë.
Për të arritur në vendet e pasura evropiane, të ikurit nga luftërat dhe varfëria, shpesh u drejtohen trafikantëve për t’i kaluar ata përtej kufijve në rrugë të paligjshme./Zëri i. Amerikës
Fraksion.com