Drejtori i CIA-s në vizitë të pakonfirmuar zyrtarisht në Beograd
Shkuarja në Beograd e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane (CIA), William Burns, pas vizitës së tij në Sarajevë, nuk është konfirmuar e as mohuar nga zyrtarët në Serbi dhe Shtetet e Bashkuara.
CIA-ja tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se “nuk komentojmë orarin e udhëtimit të drejtorit”.
Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit e Serbisë (BIA) nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it për mbërritjen e Burnsit në kryeqytetin serb, ndërsa Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Beograd tha se të gjitha pyetjet në lidhje me këtë çështjet duhet t’i shtrohen zyrës për shtyp të CIA-s.
Presidenca dhe Qeveria e Serbisë thanë se nuk kanë asnjë informacion zyrtar për këtë vizitë.
Sipas informacioneve jozyrtare të REL-it, drejtori i CIA-s mbërriti në Beograd pas një vizite njëditore në Bosnje e Hercegovinë më 20 gusht.
Në Sarajevën, Burns diskutoi edhe për retorikën secesioniste dhe veprimet e Dodiku, tha një zyrtar i Qeverisë amerikane për Radion Evropa e Lirë, i cili kërkoi të mbetej anonim.
Burns u takua me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, anëtarët e Presidencës së Bosnjës dhe me ministrin e Jashtëm të Bosnjës.
Një ish-diplomat dhe ish-ambasador në Rusi, Burns është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, pasi ai është gjithashtu anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti Biden e emëroi atë në pozicionin e drejtorit të CIA-s në janar 2021.
Burns u betua si drejtor i CIA-s në mars 2021, duke u bërë diplomati i parë në karrierë që shërbeu si drejtor. Presidenti Biden e promovoi atë në kabinet në qershor 2023./REL
Fraksion.com