AktualitetRajoniTë fundit

Drejtori i CIA-s – kundër secesionizmit në B-H

Nga Samir Huseinovic

Secesionizmi i Dodikut, situata e sigurisë në Bosnjë-Hercegovinë ishin temat e bisedës mes drejtorit të CIA-s William Burns dhe autoriteteve në Sarajevë.

Një zyrtar i paidentifikuar i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) thotë se arsyeja e vizitës së drejtorit të CIA-s William Burns në Sarajevë është “për të diskutuar mbi retorikën dhe veprimet shqetësuese separatiste të presidentit të entitetit Republika Srpska (RS) Milorad Dodik dhe Qeverisë së RS”. “Janë zhvilluar takime me kolegë nga inteligjenca, anëtarë të Kryesisë dhe ministrin e Jashtëm. Ata diskutuan çështje me interes të ndërsjellë, e cila përfshin integritetin territorial dhe sovranitetin e B-H”, thuhet në deklaratën e zyrtarit amerikan.

Në Sarajevë, Burns foli me anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës dhe drejtoreshën e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnjë-Hercegovinës, Almira Xhuva. Në takimin e Presidencës së B-H mori pjesë edhe anëtarja e Presidencës Zheljka Cvijanoviq, e cila është në listën amerikane të personave të sanksionuar, për shkak të kërcënimeve ndaj Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, integritetit dhe sovranitetit të B-H. Është biseduar mbi “politikën e rrezikshme antidejton të udhëheqjes së RS, e cila kërcënon paqen dhe sigurinë në vend dhe rajon”, tha Denis Beqiroviç, një anëtar i Presidencës së BiH. “Kjo është një vizitë shumë e rëndësishme, para së gjithash nga aspekti i sigurisë, por edhe konfirmim i mbështetjes së fuqishme të SHBA-së për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës”, tha Beqiroviq.

Bisedimet me dyer të mbyllura

Me shefin e CIA-s ka biseduar edhe ministri i Jashtëm i Bosnjë-Hercegovinës, Elmedin Konakoviq. Shefi i diplomacisë beson se vizita e një prej njerëzve kyç të administratës amerikane konfirmon se B-H është në “krye të prioriteteve” të politikës së jashtme amerikane. “Në takim u theksua edhe njëherëmbështetja e plotë e integritetit territorial dhe sovranitetit të B-H. Por u denuan edhe mesazhet dhe lëvizjet separatiste”, tha Konakoviq për DW, duke theksuar se nuk mund të komentojë disa pjesë të bisedës, sepse takimet janë mbajtur me dyer të mbyllura. Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës kujton se Burns është “një njeri me përvojë të pasur dhe njohuri të shkëlqyera të situatës në rajon”.

Mediat në Bosnjë-Hercegovinë raportojnë gjithashtu se Burns “ka shuar shpresat e secesionistëve” të cilët presin një kthesë në politikën amerikane ndaj Bosnjë-Hercegovinës në rast të fitores së Donald Trump në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA. “Sipas informacioneve tona, Burns në takime e ka bërë të qartë se politika e SHBA-së ndaj Bosnjë-Hercegovinës nuk do të ndryshojë, pavarësisht se cila parti në SHBA është në pushtet – demokratët apo republikanët”, shkruan portali Raport.

SHBA nuk do dështim si në Afganistan

Mediat rajonale raportuan gjithashtu për vizitën “surprizë” të William Burns në Sarajevë, në kohën e negociatave të armëpushimit në Rripin e Gazës. Por Armin Krzhaliq, profesor në Fakultetin e Kriminologjisë dhe Studimeve të Sigurisë në Sarajevë, thotë për DW se “çuditërisht asgjë nuk ndodhi” gjatë vizitës së drejtorit të CIA-s në Sarajevë. “Vizita është në përputhje me metodologjinë e shërbimeve të inteligjencës amerikane, të cilat mbledhin të gjitha të dhënat relevante, përfshirë ato që lidhen me ndikimin e mundshëm rus në botë dhe rajonin tonë”, thotë Kruzhaliq.

Ai thekson se B-H është me interes për SHBA-në në aspektin e sigurisë. “SHBA ka krijuar Marrëveshjen e Dejtonit dhe është e interesuar për zbatimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të saj, në mënyrë që të mos ndodhë një dështim si ai në Afganistan”, thotë Krzhaliq.

Profesori nga Sarajeva pret vazhdimin e mbështetjes amerikane për Bosnjë-Hercegovinën. “SHBA-të kanë investuar shumë në B-H, veçanërisht në procesin e formimit të forcave të mbrojtjes dhe sigurisë përmes reformës së mbrojtjes, dhe ata janë të vetëdijshëm se këto forca janë më të sulmuarat”, thekson Krzhaliq. Në “sulmet” ndaj institucioneve të mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Bosnjë-Hercegovinës, presidenti i RS Milorad Dodik është kryesori, duke kërkuar shfuqizimin e këtyre forcave dhe ndryshimin e tyre.

“Të gjithë ata që dëshirojnë një lloj ndryshimi për të arritur interesat separatiste dhe centraliste e kanë gabim, sepse mesazhet pas vizitës së William Burns konfirmojnë se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Dejtonit dhe mbështet integritetin e B-H, që synon integrimin euroatlantik”, konstaton Krzhaliq.

Priten vizita të tjera

William Burns është ish-ambasador i SHBA-së në Rusi dhe një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan Joe Biden. Ai është edhe anëtar i Kabinetit Presidencial të Shtëpisë së Bardhë. Në postin e drejtorit të CIA-s ai është emëruar në janar 2021. Burns shërbeu në kohën e gjashtë presidentëve (të të dyja palëve) në katër dekadat e fundit, si në diplomaci ashtu edhe në sektorin e inteligjencës. Ai ka qenë ambasador edhe në Jordani.

Burns vizitoi Bosnjë-Hercegovinën në disa raste edhe në cilësinë e ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, por edhe vende të tjera të rajonit. Drejtori i CIA-s, William Burns viziton pas B-H edhe Beogradin dhe Prishtinën./DW

 

Fraksion.com