AktualitetRajoniTë fundit

Çfarë dihet për lëvizjen vehabiste në Serbi?

Në Serbi janë duke u monitoruar deri në 100 persona, të cilët autoritetet i quajnë anëtarë të lëvizjes vehabiste, për shkak të dyshimeve se mund të jenë të përfshirë në terrorizëm.

Kjo u bë e ditur nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, pas vrasjes së Senad Ramoviqit më 17 gusht, gjatë një tentative për arrestim pranë Novi Pazarit, në jugperëndim të këtij vendi.

Sipas policisë, ai rezistoi gjatë arrestimit dhe qëlloi në drejtim të policëve.

Ramoviq ishte në arrati pas një sulmi terrorist që ndodhi para Ambasadës së Izraelit në Beograd, në muajin qershor.

Autoritetet dyshojnë se ai ndikoi drejtpërdrejt në radikalizimin e Millosh Zhujoviqit, sulmuesit të xhandarëve që ruanin ambasadën.

“Tani ndiej shumë frikë në mesin e qytetarëve, marrë parasysh se në Novi Pazar ka vehabistë, udhëheqës i të cilëve ishte ai [Ramoviq]. Ndjej se njerëzit, thjesht, presin se çfarë do të ndodhë tash”, thotë për Radion Evropa e Lirë Saima Rexhepefendiq nga Novi Pazari.

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha më 19 gusht se bëhet fjalë për “deri në 100 persona, të cilët janë nën monitorim, e për të cilët ekziston mundësia që të përfshihen në ndonjë lloj terrorizmi”.

“Kur dikush sheh një boshnjak me mjekër, mendon se ai është anëtar i vehabistëve apo ndonjë organizate terroriste, dhe kjo nuk është e vërtetë”, tha Daçiq për Televizionin Pink në Serbi.

Autoritetet serbe i quajnë vehabistë pjesëtarët e grupit fetar konservator selafist./REL

 

Frasuon.com