AktualitetBota+Të fundit

Vizita e Putinit në Azerbajxhan sinjalizon ndikimin në rënie të Rusisë në Kaukazin Jugor

Nga Valona Tela

 

Teksa vizitoi Azerbajxhanin për herë të parë në gjashtë vjet, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se është mrekulluar me zhvillimin e kryeqytetit të Bakusë.

“Është një oazë – do të thosha – në rajon”, u shpreh ai gjatë takimit me homologun azerbajxhanas, Ilham Aliyev, më 19 gusht.

Dhe kjo ishte një shprehje me vend, pasi, viteve të fundit, Azerbajxhani ishte vendi më mikpritës për të në rajonin e trazuar të Kaukazit Jugor.

Armenia po kthehet me shpejtësi kundër aleates së saj të dikurshme ruse, ndërsa Gjeorgjia – pavarësisht krizës së saj aktuale me Perëndimin – mbetet një territor thellësisht jomiqësor për Putinin.

Brenda vetë Rusisë, ndërkohë, Putin po përballet me një kokëdhimbje të papritur, për shkak të inkursionit ushtarak të Ukrainës në rajonin e Kurskut, të cilin ushtria ruse nuk ka mundur ta zmbrapsë.

Në Baku, Aliyev e mirëpriti Putinin në rezidencën e tij me një përqafim, ndërsa zonja e parë dhe zëvendëspresidentja Mehriban Aliyeva i dha një puthje.

Putin u mrekullua nga “atmosfera e ngrohtë” në të cilën u prit.

Kjo mikpritje ka edhe disa kufizime, pasi Bakuja ka luajtur në anë të shumëfishta, por në Kaukazin e 2024-ës mund të jetë më e mira që Putin mund të ketë.

Pas buzëqeshjeve dhe përqafimeve, Azerbajxhani është përpjekur ta nxjerrë Rusinë jashtë politikës rajonale, ku, deri vonë, ka qenë e përfshirë thellë.

Me dekada të tëra, Rusia, së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane, kanë pasur rol kyç në përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e konfliktit mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Por, Azerbajxhani, duke besuar se procesi i zgjidhjes së konfliktit është bërë vend i fuqive të jashtme për të ushtruar ndikimin e tyre në rajon, ka arritur së voni t’i nxjerrë Rusinë dhe fuqitë e tjera të huaja jashtë këtij procesi dhe të punojë vetë për një traktat paqeje me Armeninë.

Duke i dhënë një goditje tjetër Rusisë, Azerbajxhani ka njoftuar gjithashtu se ka hequr një çështje kontestuese nga negociatat për traktatin: një lidhje të transportit mes Azerbajxhanit dhe enklavës së tij të Nakhçivanit, përmes Armenisë jugore, e njohur me emrin azerbajxhanas, Korridori Zangezur.

Kjo rrugë është e një rëndësie kritike për Azerbajxhanin, por do t’i jepte shans edhe Rusisë që të fitonte terren të ri në rajon.

Armenia dhe Azerbajxhani kanë ranë fillimisht dakord që rruga të ruhet nga Shërbimi i Sigurisë Shtetërore i Rusisë.

Moska ka ende shpresë se një dispozitë e tillë do të përfshihet në marrëveshjen përfundimtare, ndonëse komentet e Putinit në Baku për negociatat e paqes kanë tingëlluar paksa si ankuese.

“Nëse mund të bëjmë diçka që të nënshkruajmë një marrëveshje paqeje me Azerbajxhanin dhe Armeninë, që ta përfundojmë përcaktimin dhe demarkacionin e kufirit pasi kemi diskutuar shumë, që të zhbllokojmë logjistikën dhe ekonominë… do të ishim shumë të lumtur”, tha ai.

Çështje të tjera – edhe më të vështira – as që u përmendën.

Në maj, një zyrtar i lartë rus tha se Moska shpreson të hapë një konsullatë në Karabah – territorin që është në zemër të konfliktit të gjatë mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Azerbajxhani tani e kontrollon krejt këtë territor, pasi ofensiva e tij në shtator të vitit 2023 rezultoi me ikjen e gjithë popullsisë prej 100.000 armenësh etnikë.

Por, lajmi për konsullatën e mundshme ruse ndezi zilet e alarmit mes azerbajxhanasve, të cilët e interpretuan atë si agjendë të fshehur të Kremlinit për ta rikthyer ndikimin rus – e ndoshta edhe armen – në këtë territor.

Përpara vizitës së Putinit, agjencia ruse e lajmeve, Tass, e intervistoi ambasadorin e Azerbajxhanit në Moskë, Polad Bulbuloglu, dhe e pyeti për këtë çështje.

Bulbuloglu u shpreh me kujdes kundër kësaj ideje, duke thënë se “fushëveprimi për konsullatat është i kufizuar”.

Pas intervistës në Tass, Bulbuloglu lëshoi një deklaratë më të qartë në ueb-faqen e lidhur me Qeverinë azerbajxhanase, Haqqin, duke shprehur sërish rezistencën e Bakusë.

“Unë nuk kam thënë se konsullata ruse mund të shfaqet në Karabah. Unë kam thënë se çështja është në fazën e diskutimeve”, tha ai.

Aliyev dhe Putin nuk e përmendën konsullatën në komentet e tyre publike.

Përpara vizitës së Putinit, Unioni i Armenëve në Rusi i dërgoi atij një apel, duke i kërkuar që ta ngrejë çështjen e të burgosurve armenë në Karabah, pas rimarrjes së këtij territori nga Azerbajxhani, vitin e kaluar. Por, as kjo çështje nuk u përmend.

Më e lehtë ishte që dy udhëheqësit të gjenin gjuhë të përbashkët për marrëdhëniet ekonomike mes vendeve të tyre.

Kur Aliyev vizitoi Moskën në prill, në fokus të bisedimeve ishte zgjerimi i një rrjeti të transportit që lidh Rusinë, nëpërmjet Azerbajxhanit, me Iranin dhe portet në Gjirin Persik.

Projekti është i një rëndësie strategjike për Rusinë, e cila po përpiqet t’i ridrejtojë lidhjet e saj tregtare kah lindja dhe jugu, meqë marrëdhëniet e saj me Perëndimin janë prishur, pasi ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Azerbajxhani do të përfitonte gjithashtu nga ky zgjerim tregtar, por shkëmbimi midis dy liderëve në Baku e bëri Rusinë të duket si palë më e etur.

Qarkullimi i përgjithshëm tregtar mes dy shteteve sillet në “pak më shumë se 4 miliardë dollarë – një numër i mirë”, tha Aliyev.

“Por, kjo nuk korrespondon me potencialin e kapaciteteve tona”, shtoi Putin.

Pas përfundimit të takimeve më 19 gusht, dy udhëheqësit njoftuan se kanë nënshkruar marrëveshje për disa çështje, si siguria ushqimore dhe inspektimi i punës. Një universitet i ri ruso-azerbajxhanas do të hapet gjithashtu në Baku dhe të dyja vendet do të fillojnë prodhimin e përbashkët të cisternave të naftës.

Për disa azerbajxhanas, vizita ekspozoi atë që ata e shohin si arsye të vërtetë të saj: shansin që Putin të duket sikur ka vërtet aleatë në kohën kur është i izoluar ndërkombëtarisht./REL

 

Fraksion.com