AktualitetPolitikëTë fundit

UNHCR do të mbikqyrë marrëveshjen Shqipëri-Itali

Marrëveshja për migrantët mes Shqipërisë e Italisë u shoqërua me shumë debate. Tani OKB bën të ditur se do të mbikqyrë zbatimin e marrëveshjes. Ndërkohë numri i migrantëve në Itali ka rënë dukshëm muajt e fundit.

Organizata e OKB-së për mbrojtjen e refugjatëve, UNHCR ka bërë të ditur, se do të mbikqyrë zbatimin e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për transferimin e migrantëve në kampe në Shqipëri. Këtë e konfirmoi zëdhënësja e UNHCR-së, Louise Donovan të martën për Agjencinë gjermane Katolike të Lajmeve, KNA. Aktivistë për të drejtat e njeriut ka kohë që e kanë kritikuar marrëveshjen dhe janë shprehur kundër ngritjes së kampeve të migrantëve në brigjet shqiptare. Nga shtatori Italia planifikon të sjellë migrantët e parë në Shqipëri.

Kampi në Gjadër
Kampi në GjadërFotografi: Alketa Misja/dpa/picture alliance

Sipas Donovan UNHCR planifikon një prezencë tremujore për t’u siguruar aty “se garantohen të drejtat dhe dinjiteti i personave të prekur”.  UNCHR do të marrë një rol vëzhgues por edhe këshillues. Në fokus do të jenë jo vetëm e drejta për azil, por edhe respektimi i të drejtave të njeriut dhe një proces i drejtë për personat që kanë nevojë për mbrojtje. Në fund të procesit të vëzhgimit, organizata e OKB-së do të paraqesë propozimet e saj të përmirësimit tek qeveria italiane dhe “aktorë të tjerë të interesuar”.

UNHCR përgjithësisht është kritike ndaj ujdive të transferimit të proceseve të azilit.Sipas Louise Donovan do të kihet kujdes që marrëveshja Shqipëri-Itali “të mos jetë eksternalizim i detyrimeve të azilit dhe që bën kalimin e përgjegjësisë diku tjetër”.

Ulet numri i migrantëve ilegalë në Itali

Sipas një raportimi të Organizatës Ndërkombëtare për Migrimin, IOM në muajt  e fundit ka rënë ndjeshëm numri i migrantëve që vijnë me varka në Itali. Sipas të dhënave të IOM ky numër ra me 63% krahasuar me një vit më parë. Kurse sipas një analize vlerësuese të Komisionit Europian ulja e numrit të migrantëve që vijnë me rrugë detare lidhet me marrëveshjet që BE ka arritur me vendet afrikanoveriore të Mesdheut. Sipas Frontex në vitin në vazhdim është ulur numri i hyrjeve ilegale në BE. Sipas të dhënave deri në korrik kanë ardhur 113.000 migrantë ilegalë me rrugë detare apo tokësore në BE.

Migrantët në Mesdhe në rrugë drejt Italisë
Migrantët në Mesdhe në rrugë drejt ItalisëFotografi: Daniel Kubirski/picture alliance

Por autoritetet e sigurisë në BE paralajmërojnë, se migrantët po gjejnë rrugë të reja për të hyrë ilegalisht në BE. Në një raport të brendshëm thuhet, se vërehet një “rritje e madhe e kërkesave për azil të mauretanëve të rinj në aeroportin e Madridit, Barajas.” Këta prenotojnë bileta nga qyteti marokan Kasablanca për në Amerikën Jugore dhe e përdorin tranzitin në Madrid për të “grisur pasaportat dhe për të kërkuar azil.”/DW

 

Fraksion.com