AktualitetLife StyleTë fundit

Me not nga Italia në Shqipëri,Eva merr certifikatën “Mirënjohje e Qytetit të Vlorës”

Eva Buzo arriti të bëhej sportistja e parë që notoi përmes kanalit të Otrantos. Ajo e përfundoi sfidën e saj duke notuar 90 km nga brigjet e Leçes në Itali, deri në gadishullin e Karaburunit për 35 orë e 17 minuta.

Sfida nisi pasditen e 17 gushtit 2024 nga shkëmbinjtë e San Focës, pranë Leçes dhe përfundoi rreth orës 05:00 të mëngjesit të datës 19 gusht, kur preku tokën shqiptare pranë Kepit të Gjuzës, në një nga gjiret e Karaburunit.

Sakaq, kryetari i Bashkisë së Vlorës Ermal Dredha ka falenderuar Eva Buzon për atë që ajo ka arritur duke vendosur një rekord absolut duke lidhur dy brigjet Itali – Shqipëri me not.

“Po ashtu jemi shumë krenar dhe ne”, shprehet Dredha, “që kemi qenë pjesë e këtij udhëtimi duke dhënë asistencën tonë, por dhe duke promovuar vlerat që ka qyteti i Vlorës. Gjithashtu ka falenderuar dhe shoqëruesit e Evës përgjatë gjithë udhëtimit, që nga Baçi dhe Viktori, peshkatarët që i kanë qëndruar pranë. Po ashtu shkëmbi ku Eva preku në Karaburun do të pagëzohet “shkëmbi Eva”.

Ndërkohë, mes emocioneve, Eva është shprehur se i shpreh mirënjohje Bashkisë së Vlorës.

“Sot dua të flas me zërin e gjithë vajzave që merren me sport. Kam kujtime të fëmijërisë kur gjyshi im vinte në çdo aktivitet sportiv, ku unë merrja pjesë dhe plot krenari i tregoja medaljet që merrja që fëmijë. Pikërisht këto medalje më rritën kofidencën, jo vetëm në fushën e sportit, por dhe atë profesionale. Arritjet e mia sot janë rezultat i punës së madhe që kam bërë që në moshë të herët me veten. Sot jam një femër e fortë, që pëlqej sfidat dhe u them të gjithë femrave ‘forconi konfidencën, rrisni besimin dhe pranoni sfidat’”, u shpreh Buzo.

 

Fraksion.com