DW: A po e pengon SHBA reformën e taksave globale?
Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) thotë se 240 miliardë dollarë, rreth 223 miliardë euro, humbasin çdo vit nga një shmangie e tillë tatimore. Në vitin 2021, u duk se ishte arritur një konsensus i quajtur “Korniza Gjithëpërfshirëse e OECD/G20”. Tani mbi 140 vende janë duke negociuar zbatimin e marrëveshjes.
Marrëveshja Globale e Bashkëpunimit Tatimor ka dy shtylla: Disa të ardhura duhet të tatohen aty ku fitohen. Ndërsa një taksë minimale globale do të vendoset për të gjitha korporatat.
Norma minimale e tatimit 15 për qind
Modeli aktual parashikon një taksë prej 15 për qind për kompanitë ndërkombëtare me të ardhura prej më shumë se 750 milionë euro në të paktën dy nga katër vitet e fundit. Por disa vende kanë futur tashmë rregulla të tjera. Në Irlandë, për shembull, rregulli i taksës minimale hyri në fuqi më 1 janar 2024. Por për shkak se ai zbatohet vetëm për kompanitë me një qarkullim prej më shumë se 750 milionë euro, mbi 99 për qind e kompanive që operojnë në vend do të tatohen ende me norma prej 12,5 për qind, thotë eksperti Robert Dever nga Dublini.
Pagesat e tatimeve
Shtylla e dytë e planit të OECD-së rezulton të jetë më e vështirë për t’u realizuar. Ky rregull zbatohet për kompanitë e mëdha multinacionale dhe rregullon vendin ku paguhen taksat. Kjo nënkupton rishpërndarjen e të ardhurave të caktuara në vendet ku fitohen, pavarësisht nëse kompania ka një prani fizike atje dhe pavarësisht asaj se ku e ka selinë e saj.
Ky rregull duhet ta bëjë tatimin më të drejtë për kompanitë dhe do të sillte të ardhura nga taksat për vendet që deri tani nuk kanë asgjë nga puna e këtyre kompanive në vendin e tyre – veçanërisht vendet më të varfëra.
Për të realizuar marrëveshjen, shtetet kumtuan se nuk do të zbatonin rregullat e posaçme dhe se do të hiqen taksat lokale mbi shërbimet digjitale. E ky vendim është konsideruar si një sukses i madh i bashkëpunimit ndërkombëtar. Kjo marrëveshje është dashur të nënshkruhet deri më 30 qershor, por kjo nuk ndodhi. Një numër vendesh po rishikojnë pjesëmarrjen e tyre në marrëveshje, ndër to edhe SHBA.
Probleme me SHBA-në
Pjesëmarrja e SHBA-së në këtë marrëveshje është jetike, për vet faktin se me këtë marrëveshje preken shumë kompani me bazë në SHBA, thotë Robert Dever. “Për fat të keq, kjo do të thotë se suksesi i marrëveshjes do të varet ndoshta nga situata politike në Uashington si dhe nga ngërçi në Senatin amerikan”, tha ai për DW.
Presidenti Biden e mbështet marrëveshjen, por nuk ka vota të mjaftueshme për ta zbatuar atë. Ndërsa Trump është kundër kësaj marrëveshje dhe nëse ai zgjidhet president, ajo nuk do të mund të zbatohet.
“Dështimi i marrëveshjes është një mundësi reale për shkak të mospjesëmarrjes së SHBA-së”, thotë Dever. Një problem tjetër është se, me insistimin e vendeve në zhvillim, në këtë projekt për tatime globale u përfshi edhe OKB-ja. Ndërsa kjo luftë për pushtet po zbeh mundësinë e arritjes dhe zbatimit të saj .
Lufta tatimore?
Nëse marrëveshja globale nuk hyn në fuqi, shtetet do të konkurrojnë sërish kundër njëra-tjetrës dhe do të zhvillohet një garë për taksa më të ulëta. Kjo mund të kthehet në një “luftë tatimore”, paralajmëroi Dever. Shenjat e kësaj gare janë tashmë të dukshme. Kanadaja kohët e fundit miratoi një projektligj tatimor për shërbimet digjitale. Zelanda e Re dhe Kenia kanë filluar një proces të ngjashëm dhe pritet të bëjnë pikërisht atë që parashikohej të ndalohej me këtë marrëveshje globale.
Kompanitë e mëdha amerikane të teknologjisë si Google dhe Facebook do të goditen më së shumti. Ndaj edhe “rreziku i veprimeve ndëshkuese të SHBA-së për këto taksa të shërbimeve digjitale do të rritet”, pohon Dever.
Fraksion.com