AktualitetTë fundit

I shpallur në kërkim ndërkombëtar arrestohet në Emiratet e Bashkuara, pritet ekstradimi në Shqipëri

Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe ka mundësuar arrestimin e një shtetasi tjetër të kërkuar nga drejtësia shqiptare.

Falë punës profesionale të Interpol Tirana dhe bashkëpunimit me Interpol Abu Dhabi u bë i mundur arrestimi i shtetasit E. R. me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

E. R. ishte person në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin e datës 15. maj 2024, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurimit “arrest në burg”, për veprat penale “vrasje për gjakmarrje” e mbetur në tentativë, “sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “kultivimi i bimëve narkotike”.

Nga hetimi i kryer nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, rezulton se E. R. ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e Preng Gjinit.

Policia e Shtetit siguron se mbetet e vendosur për vënien para drejtësisë të të gjithë personave në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar.

 

Fraksion.com