AktualitetBota+Të fundit

Një oqean me ujë nën sipërfaqen e Marsit

Të dhënat sizmike nga sonda robotike InSight e NASA-s sugjerojnë se ka një depozitë të madhe uji nën sipërfaqen e Marsit. Nuk bëhet fjalë vetëm për akull por edhe ujë normal.

Nuk është një oqean sipërfaqësor, sepse uji shtrihet nëpër shtresa shkëmbi, duke filluar të paktën 11 kilometra nën sipërfaqen e planetit. Sipas përllogaritjeve të studiuesve të Universitetit të Kalifornisë nëSan Diego dhe Berkeley, vlerësohet se mes shkëmbinjve ka aq shumë ujë sa mund të mbulojë planetin dhe se më pas sipërfaqja e ujit do të ishte dy kilometra e thellë.

Por as në Tokë nuk ka asnjë mundësi për të gërmuar 11 kilometra në thellësi, dhe për këtë arsye ka pak shpresë se një gjë e tillë mund të arrihet në Mars.

Ilsutrim - Marsi para katër miliardë vitesh
Ilsutrim – Marsi para katër miliardë viteshFotografi: M. Kornmesser/ESO

Të dhënat sizmike të “Insight” përdoren për zbulimin e ujit

Në mungesë të një teknologjie të tillë shpimi, shkencëtarët analizuan të dhënat e valës për të kuptuar përbërjen e kores së planetit dhe materialin brenda. Këto të dhëna u mblodhën nga sonda “Insight” gjatë misionit të saj katërvjeçar, i cili përfundoi në dhjetor 2022.

Ndër të dhënat ishin regjistrimet e të ashtuquajturve “Termetet e Marsit”, por edhe goditjet e meteorëve që shkaktojnë tërmete sipërfaqësore në këtë planet. “Insight” regjistroi shpejtësinë me të cilën përhapen valët sizmike gjatë ngjarjeve të tilla.

Ekipi hulumtues përdori modele të fizikës shkëmbore për të llogaritur vetitë e kores së Marsit kur këto valë që udhëtojnë shpejt kalojnë nëpër të. “Qëllimi është të lidhim atë që ndodhet brenda shkëmbit me shpejtësinë e zërit,” shpjegoi Vashan Wright, një gjeofizikan në Institutin Scripps të Oqeanografisë në San Diego, i cili drejtoi analizën. “Sa më i dendur shkëmbi, aq më shpejtë mund të depërtojë zëri. Nëse shtoni pak ujë të lëngshëm, shpejtësia do të rritet. Nëse e thyeni, shpejtësia do të ulet.”

Wright dhe kolegët e tij nuk hynë në hulumtim duke pritur të gjenin ujë të lëngshëm nën sipërfaqe – ata prisnin të gjenin ndonjë sasi uji, nga zero në 100 përqind, ose ujë që depërtonte nëpër shtresa shkëmbi.

Të dhënat nga sonda InSight sugjerojnë se çdo ujë në Mars në të kaluarën e tij të lashtë lëvizte nën tokë, diçka e ngjashme me ujërat nëntokësore në Tokë. “Ka shumë pyetje të thella në lidhje me Marsin që [ky studim] na ndihmon t’u përgjigjemi – ai na jep të dhëna rreth ciklit të lëvizjes së ujit që nuk është prekur nga njerëzit,” thotë Wright.

Ku është uji, a ka jetë?

Marsi - ka vërtet oqeane nën sipërfaqe?
Marsi – ka vërtet oqeane nën sipërfaqe?Fotografi: Björn Schreiner 2024 @ FU Berlin/ESA

Grupi i Wright nuk është i pari që përcakton se ekziston mundësia e ujit të lëngshëm në Mars. Studiuesit në Institutin e Teknologjisë në Kaliforni në vitin 2022 përdorën sondën Orbiter për të studiuar depozitat e kripës në sipërfaqen e Marsit dhe vlerësuan se uji ekzistonte atje deri dy miliardë vjet më parë.

Studimet në pjesën polare me akull në Planetin e Kuq kanë sugjeruar gjithashtu se uji i lëngshëm mund të ekzistojë nën sipërfaqen e ftohtë, por një studim i fundit çon në përfundimin se mund të ketë pasur keqinterpretime në matje.

Dhjetë vjet më parë, studimet e NASA-s treguan se uji mund të rrjedhë herë pas here në sipërfaqen e planetit. E gjithë kjo emocionon shkencëtarët që janë ende në kërkim të provave të jetës në Mars. Sepse, si në Tokë, uji i lëngshëm konsiderohet një përbërës thelbësor që mundëson jetën të evoluojë. “Uji duket se është thelbësor për jetën,” thotë Wright. “Ajo që dimë për jetën dhe ujin në Tokë është se ka jetë në thellësi dhe se jeta mbijeton në kushte shumë më të ‘ashpra’ sesa ato në sipërfaqen e Tokës. Megjithatë nëse gjeni ujë në thellësi të madhe, kjo nuk do të thotë automatikisht jetë, por do të thotë se ka një mundësi për të.”

Të dhënat nga studimi u publikuan në Proceedings of the National Academy of Sciences./DW

 

Fraksion.com