Konflikti në Kurbin, detaje: 3 të plagosur, njëri me armë zjarri
Tre persona kanë mbetur të plagosur pas një konflikti për motive pronësie mes 6 personave, 3 prej të cilëve janë vëllezër. Një prej të plagosurve ka plagë me armë zjarri, ndërsa dy vëllezërit e tij, janë plagosur me sende të forta.
Policia ka shpallur në kërkim Valdano Murati 32 vjeç. Ai është djali i Sokol Muratit. Po ashtu në pranga ka rënë edhe Pëllumb Murati vëllai i Sokol Muratit.
Kurbin/Informacion paraprak
U konfliktuan me sende të forta, për motive pronësie, me 3 vëllezër dhe më pas qëlluan me armë zjarri duke plagosur njërin prej tyre, Policia kap dhe arreston njërin nga autorët e dyshuar dhe vëllanë e tij, si dhe shpall në kërkim djalin e njërit prej të arrestuarve.
Nga veprimet e para në vendngjarje rezultoi se në konflikt ishin përfshirë dy familje, për motive pronësie. Konflikti kishte nisur fillimisht me sende të forta dhe më pas në përdorim të armës së zjarrit.
Shtetasi S. M., djali i tij V. M. dhe shtetasi P. M., vëllai i shtetasit S. M., ishin konfliktuar me sende të forta për motive pronësie me tre vëllezërit shtetasit Y. V., S. V. dhe E. V.
Si pasojë e konfliktit janë dëmtuar me sende të forta shtetasit Y. V. dhe S. V., si dhe është plagosur me armë zjarri shtetasi E. V. (të tre vëllezër).
Shërbimet e Policisë vendore, me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Shkodër, kanë bërë të mundur kapjen, shoqërimin në Komisariat dhe arrestimin e shtetasve S. M. dhe P. M., si dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin V. M.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit S. M., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi municioni luftarak.
Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit V. M.
Të tre të dëmtuarit janë aktualisht në spital, në kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për sigurimin e provave me qëllim dokumentimin ligjor të këtij rasti.
Fraksion.com