AktualitetOp-EdTë fundit

Imagjinoni të ndodhë në Shqipëri, kjo që po ndodh në Kosovë

Nga Andi Bushati

Një debat i vërtetë demokratik, nga ata që në pamje të parë duket se i interesojnë vetëm një elite të ngushtë, por që në të vërtetë janë termometër i shoqërisë së një vendi, po zhvillohet ditët e fundit në Prishtinë. Në qendër të tij është vënë Televizioni Publik i Kosovës (RTK), ndërsa në anën tjetrër partia në pushtet. Personazhe janë dy gazetarë tejet kritikë me Albin Kurtin, Berat Buzhala dhe Ilir Mirena dhe në krahun e kundërt një shpurë zyrtarësh mediatikë mes të cilëve është gjendur çuditërisht edhe moderatori, Adi Krasta, që ka një post të lartë drejtues në RTK.

Kësaj menyje perfekte për të shkaktuar polemika i janë shtuar disa dorëheqje të rëndësishme gazetarësh dhe anëtarësh bordi të transmetuesit publik, prononcime opinionistësh me emër e po ashtu dhe reagime të shoqatave të lirisë së shtypit.

Kur përmend të gjitha këto elementë që konvergojnë tek beteja e përhershme mes medias dhe pushtetit, instikti të thotë se bëhet fjalë për një vend me demokraci të kërcënuar. Dhe po të shtjellosh ngjarjen, që i ka mpleksur bashkë këto ide dhe këta personazhe, kjo përshtypje të përforcohet.

Diçka më shumë sesa një muaj më parë, padyshim me frymëzim nga njërëz pranë pushtetit në Prishtinë, një portal i dyshimtë boshnjak, “Slobodna Bosna” (Bosnja e Lirë), publikoi një lajm se mediat online të Buzhalës dhe Mirenës, përkatësisht Nacionale dhe Periskopi, financoheshin nga Serbia. Sa hap e mbyll sytë, këtij artikulli skandaloz dhe pa fakte i’u dha hapsirë edhe në RTK. Situata u bë më absurde kur deputetë të Vetvendosjes bënë deklarata që e merrnin të mirqenë këtë produkt, simbol të epokës të të vërtetave alternative, ndërsa antarë të kabinetit qeveritar i bënë thirrje prokurorisë të hetonte ata që financoheshin nga Beogradi. Deri këtu ngjarja është rënqethëse. Një amalgamë e shkallmimit të kufijve mes pushteteve që ndodh vetëm në sisteme autoritare.

Ajo dëshmonte së pari për depërtimin e zgjatimeve të politikës mbi median, aq më tepër mbi atë që financohet nga paratë e qytetarëve. Ajo ngrinte shqetësimin e mentalitetit diktatorial, që reket ti etiketojë kritikët, që mendojnë ndryshe, si “të shitur tek armiku”. Ajo shtonte dyshimin e një qeverisjeje, që lojdhja e ka bërë nervëshkatëruar, të pa duruar, dhe me riskun e humbjes së sensit të realitetit.

Le të jemi të qartë. Për mbarëvajtjen e punëve në Kosovë, unë personalisht, kam mendim krejt të kundërt nga Mirena dhe Buzhala (me këtë të fundit tani më ndan dhe kthesa e beftë që ka marrë ndaj qeverisjes në Shqipëri), por ama do t’i lutesha të afërmve të mi të më vizitonin tek psikiatri, ndonëse, qoftë edhe një herë të vetme, do më përshkëndiste në mendje, se idetë e tyre financohen nga Vuçiçi. As unë, e besoj asnjë njeri normal, nuk mund të ndajë asgjë të përbashkët me ata që logjikojnë kështu dhe që përpiqen t’i imponojnë shoqërisë një mentalitet të tillë.

Në këtë kuptim, ajo që ka ndodhur me lajmin e infiltruar, në “Slobodna Bosna”, me rimarjen e tij nga RTK dhe më pas me propogandimin që i’u bë nga deputetë e ministra të VV është një skandal. Edhe më skandaloze është përpjekja për t’i mbrojtur abuzuesit, paçka se shumë dëshmi dhe një raport zyrtar, i nxorën në dritën e diellit mëkatet e shërbimit të tyre.

Pra, nëse do të vendosim të shohim vetëm gjysmën bosh të gotës, kjo ngjarje mund të përdorej si kazus perfekt për të ilustruar rezikun e një pushteti autokratik në Prishtinë, ku rolin e të keqit nuk e luan askush tjetër përpos Albin Kurtit.

Por, fatmirësisht gota ka dhe anën tjetër të saj. Me të ndodhur ky skandal, shumë gazetarë brenda televizionit publik ngritën zërin dhe treguan të vërtetën. Presioni i shoqërisë e detyroi bordin të niste një hetim dhe të hartonte një raport. Në rekorde u shënuan profesionistët e parë që dhanë dorëheqjen në respekt të parimeve të tyre. Atyre iu shtuan edhe kreu i bordit të RTK-së dhe një anëtare tjetër, që u dorëhoqën, në shenjë proteste për mosndëshkimin e fajtorëve. E gjitha kjo u zhvillua në një gati unison, mes gazetarëve kritikë të Prishtinës dhe atyre që punonin në mediat pro qeverisë, për të denoncuar këto përdhosje të profesionit.

Tani, si një gazetar që me punën e tij të përditshme e di se çdo të thotë të mbijetosh në një mjedis antidemokratik, unë i pyes kolegët e mij kosovarë: A mund të ndodhnin këto akte lirie në Tiranë? Sa kohë ka që në këtë anën tonë të kombit, jo vetëm në media por askund, askush nuk jep dorëheqje për arsye morale? Sa vite ka që reporterët që punojnë për pronarë të lidhur me qeverinë janë bërë memecë dhe nuk guxojnë të shprehen kundër padronit të shefave të tyre? A mund të mendohet, këtej kufirit, që dikush nga bordi i RTSH- të mund të hedhi dorashkën, ngaqë nuk bie dakord me politikat botuese të institucionit?

Natyrisht që dikush mund të përgjigjej thjeshtë se nuk ka ç’i duhet krahasimi me një shembull të keq si Shqipëria. Por këtu qëllimi nuk është tek paralelizmi në vetvete, por tek përpjekja për të kuptuar se cilat janë rrethnat reale të mungesës së lirisë. Mendimi i pavarur, artikulimi i tij pa drojë në publik dhe dorëheqjet si formë proteste mund të prodhohen vetëm në kushtet e mungesës së shtypjes.

Në një regjim autokratik këto janë lukse të harruara. Në Shqipërinë e Edi Ramës, që është shumë më keq se ajo e Berishës së parë, as nuk debatohet më për gjëra të tilla.

Prandaj, sa do i madh të jetë skandali i “Slobodna Bosna”, sado keqëdashëse qëllimet e tij, sërish në Kosovë ka arsye për të qenë optimist. Ndryshimi mes asaj që ndodh këtu dhe realitetit të atyshëm është i ndjeshëm. Ne jetojmë në një hapsirë ku vullneti i njishit e ka mposhtur shoqërinë, ndërsa atje ka shenja të qarta të rezistencës ndaj tekave të pushtetit. Ky është në thelb dallimi midis demokracisë që vazhdon të gjallojë në Kosovë dhe asgjesimit të saj që ka ndodhur tek ne.

Si e tillë, sado e trishtë të jetë historia e sajuar me gazetarë të paguar nga Beogrdi, sado shqetësuese që të jetë shija që të lë ajo, prapsëprapë, mënyra si u zhvillua debati rreth saj, forma si u protestua dhe u kundërshtua, janë dëshmi të forta se me gjithë përpjekjet për shtrembërime, loja në Kosovë vazhdon të zhvillohet në kuadrin e një shoqërie të lirë, ku frika dhe paraja nuk e kanë mposhtur guximin për të reaguar. Kjo është gjysma plot e gotës së cilës duhet ti gëzohemi të gjithë.

 

Fraksion.com