AktualitetTë fundit

“Nuk e kryejmë ne akt-ekspertizën”, Policia hedh poshtë versionet e Prokurorisë për vrasjen në Pogradec: Inspektori i akuzuar nuk ka lidhje me hetimin e ngjarjes

Policia e Shtetit ka reaguar sërish për ngjarjen e rëndë në Pogradec, ku Egli Proga humbi jetën pas dhunës nga Denis Meçe, pas reagimit të Gjykatës së Korçës dhe Prokurorisë.

Fillimisht pas reagimit të ashpër të familjarëve të viktimës për ndryshimin e akuzës nga Prokuroria, nga “vrasje me dashje” në “vrasje nga pakujdesia”, Gjykata reagoi dhe tha se nuk është faji i saj, por i Prokurorisë që i ka referuar dosjen për ngjarjen.

Nga ana tjetër Prokuroria ka reaguar dhe ka thënë se fajin nuk është i këtij institucioni, por se Policia e Shtetit nuk ka sjellë akt-ekspertizën ligjore bashkë me të arrestuarit për ngjarjen, ndërsa lajmëroi se ka marrë nën hetim Inspektor Artur Lilo, pasi sipas tyre nuk ka marrë masa për dokumentimin e ngjarjes ku humbi jetën Proga, duke i hedhur fajin efektivit.

Në deklaratën e sotme, Policia e Shtetit i ka hedhur poshtë të dyja njoftimet e Prokurorisë, dukë theksuar se akt-ekspertiza kryhet nga Instituti i Policisë Shkencore, ndërsa sa i përket inspektorit, thotë se Lilo nuk ka asnjë lidhje me hetimin e ngjarjes apo as me operacionin për kapjen e autorit. Hetimi i ngjarjes, sqaron Policia, kryhet nga Oficerët e Policisë Gjyqësore dhe grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë.

Sipas Policisë, inspektori sapo ka mbërritur në vendngjarje ka komunikuar me të pranishmit, ka bërë sigurimin e vendngjarjes, ka informuar sallën operative mbi ngjarjen, gjeneralitetet e të dëmtuarit, si dhe kërkesën për ndihmë mjekësore. Pas mbërritjes së ambulancës, ka bërë shoqërimin me automjetin e policisë për në spital, ku ka qëndruar në pritje për të marrë informacion mbi ecurinë e gjendjes shëndetësore të të dëmtuarit. Me marrjen e njoftimit nga mjekët, ka bërë njoftimin për grupin hetimor, që i dëmtuari ka ndërruar jetë, pra siç thotë policia, Lilo ka kryer detyrën e tij.

Reagimi i plotë i Policisë së Shtetit

Në respekt të qytetarëve, medias dhe të drejtës për informim, nisur nga dy njoftimet e bëra nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, në lidhje me veprimet hetimore e procedurale të kryera nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë e Komisariati i Pogradecit dhe materialet procedurale të përcjella në Prokurori nga ana e Policisë për ngjarjen e ndodhur më datë 10.08.2024 në Pogradec, me keqardhje për këto reagime, sqarojmë opinionin publik se:

Prokuroria e Korçës fillimisht ngriti pretendimin se, Policia e Shtetit nuk kishte sjellë akt-ekspertizën ligjore bashkë me të arrestuarit për ngjarjen, por sqarojmë opinionin publik se akt-ekspertizën e kryen Instituti i Policisë Shkencore, përkundrejt vendimeve për kryerjen e ekzaminimit, dhe asnjëherë kjo nuk bëhet aty për aty për vetë mënyrën se si funksionon procesi dhe përpilimi i Aktit të Ekspertimit.

Në reagimin e dytë, Prokuroria njoftoi për ngritjen e një akuze për shpërdorim detyre për një punonjës të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Pogradec lidhur me ngjarjen, duke e akuzuar se nuk kishte marrë asnjë masë për të dokumentuar apo bërë të ditur shkakun e vdekjes së shtetasit E. P. më 10.08.2024 në Pogradec.

Por fakti është se punonjësi i Patrullës së Përgjithshme, Inspektor A.L., i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, nuk ka asnjë lidhje me hetimin policor të ngjarjes dhe as me operacionin e policisë për kapjen e autorit. Hetimi i ngjarjes kryhet nga Oficerët e Policisë Gjyqësore dhe grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë, ndërsa punonjësit e Patrullës së Përgjithshme kanë të tjera detyra funksionale në vendngjarje, përjashtuar ato hetimore.

Kjo bazuar në përshkrimet e punës të Oficerit të Patrullës së Përgjithshme, trupë shërbimi, miratuar me Urdhrin Nr.1024, datë 10.07.2023, “Përgjegjësitë kryesore”, pika “c”, gërma “q”, ku përcaktohet: “Siguron vendin e ngjarjes për të parandaluar ndryshimin/ asgjësimin e provave dhe për të garantuar sigurinë e saj. Identifikon viktimat, denoncuesit dhe dëshmitarët, siguron informacion të nevojshëm prej tyre, si dhe identifikon dhe shoqëron të dyshuarin”.

Punonjësi i Policisë inspektor A.L me të mbërritur në vendngjarje ka komunikuar me të pranishmit, ka bërë sigurimin e vendngjarjes, ka informuar sallën operative mbi ngjarjen, gjeneralitetet e të dëmtuarit, si dhe kërkesën për ndihmë mjekësore. Pas mbërritjes së ambulancës, ka bërë shoqërimin me automjetin e policisë për në spital, ku ka qëndruar në pritje për të marrë informacion mbi ecurinë e gjendjes shëndetësore të të dëmtuarit.

Me marrjen e njoftimit nga mjekët, ka bërë njoftimin për grupin hetimor, që i dëmtuari ka ndërruar jetë.

Sqarojmë opinionin publik se, punonjësi i Patrullës së Përgjithshme ka përmbushur të gjitha detyrat funksionale.

Në respekt të pavarësisë së organeve të drejtësisë, nuk komentojmë arsyet apo shkaqet e këtyre gjykimeve të Prokurorisë, ashtu siç nuk komentuam edhe ngritjen e akuzës për “vrasje nga pakujdesia”, pa pritur aktin e ekspertizës mjeko-ligjore dhe duke hedhur poshtë akuzën e ngritur nga Policia e Shtetit për “vrasje me dashje”.

Sqarojmë opinionin publik se, nuk ka asnjë lidhje mes punonjësit të Patrullës së Përgjithshme që është vënë nën akuzë dhe hetimit të ngjarjes, për të cilën Policia e Shtetit ka kapur, arrestuar dhe dërguar para drejtësisë autorin e dyshuar të ngjarjes.

Gjithashtu, në lidhje me hetimin e kësaj ngjarjeje, Policia ka dërguar në Prokurori të gjitha materialet e nevojshme hetimore që kryhen në vendngjarje dhe gjatë hetimit paraprak, materiale procedurale të cilat janë dorëzuar në Prokurori me numër protokolli, çka hedh poshtë akuzën e Prokurorisë për mangësi në aktet e referuara nga Policia.

Theksojmë se kontrolli rigoroz i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ka gjetur në përputhje të plotë me misionin dhe ligjin, të gjitha hapat e ndërmarra nga strukturat e policisë vendore për zbardhjen e ngjarjes.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht për të zbatuar ligjin, për të reaguar në kohë dhe me profesionalizëm për parandalimin dhe hetimin e ngjarjeve kriminale, për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, si dhe për t’u ofruar një shërbim sa më cilësor.

 

Fraksion.com