Ukraina godet Rusinë me dronë dhe thotë se po përparon më thellë në territorin rus
Ukraina goditi rajonet ruse me raketa dhe dronë të mërkurën, ndërsa Kievi tha se po përparonte më thellë në në operacionin më të madh të huaj në Rusi për disa dekada, për të cilin Shtëpia e Bardhë tha se paraqet një “dilemë të vërtetë” për presidentin rus Vladimir Putin.
Mijëra trupa ukrainase kaluan kufirin rus në orët e para të 6 gushtit në rajonin perëndimor të Kurskut të Rusisë, në atë që presidenti Putin tha se ishte një provokim i madh që kishte për qëllim të siguronte një pozicion më të fortë në bisedimet e mundshme të armëpushimit në të ardhmen.
Në një zhvillim të sikletshëm për Rusinë, Ukraina zuri një pjesë të Kurskut dhe megjithëse presidenti Putin tha se ushtria ruse do t’i zmbrapste forcat ukrainase, betejat intensive deri më tani nuk kanë arritur t’i dëbojnë ato.
“Situata mbetet ende e vështirë”, tha Yuri Podolyaka, një bloger ushtarak pro-rus me origjinë ukrainase. “Armiku e ka ende iniciativën dhe kështu, megjithëse ngadalë, po rrit praninë e tij në rajonin e Kurskut”.
Rusia tha të mërkurën se kishte shkatërruar 117 dronë ukrainas gjatë natës, kryesisht në rajonet Kursk, Voronezh, Belgorod dhe Nizhny Novgorod. Ajo tha se kishte rrëzyar edhe raketa dhe publikoi pamje të bombarduesit Sukhoi Su-34 duke goditur pozicionet ukrainase në Kursk.
Raporte të pakonfirmuara thanë se disa nga dronët ukrainas goditën bazat ajrore ruse. Garda Kombëtare e Rusisë tha se po forconte sigurinë në termocentralin bërthamor të Kurskut, i cili është vetëm 35 km larg nga zona e luftimeve.
Komandantët rusë kishin thënë se fronti në Kursk ishte stabilizuar, megjithëse presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se forcat e tij po vazhdonin të përparonin atje dhe urdhëroi gjeneralët e tij të zhvillonin “hapat e ardhshëm thelbësorë” të operacionit.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden, tha se zyrtarët amerikanë ishin në kontakt të vazhdueshëm me Ukrainën lidhur me operacionin, për të cilën ai tha se kishte “krijuar një dilemë të vërtetë” për presidentin Putin, i cili dërgoi mijëra trupa në Ukrainë në vitin 2022.
Shtëpia e Bardhë tha se Ukraina nuk dha njoftim paraprak për operacionin e saj dhe Shtetet e Bashkuara nuk kishin asnjë përfshirje në të, megjithëse zyrtarët rusë kanë sugjeruar se mbështetësit perëndimorë të Ukrainës duhet të kenë ditur për sulmin.
Një zyrtar amerikan tha se ndërhyrja në Kursk duket se kishte për qëllim të detyronte Rusinë të tërhiqte trupat nga Ukraina, për të mbrojtur territorin rus kundër sulmit ndërkufitar.
Sulmi ukrainas mbi Rusinë, më i madhi nga një forcë e huaj që nga Lufta e Dytë Botërore, ka ndryshuar në mënyrë dramatike rrëfimin rreth luftës. Rusia kishte përparuar pas dështimit të kundërofensivës së Ukrainës në vitin 2023.
RUSIA NË POZICION MBROJTJEJE
Presidenti Putin tha të hënën se Ukraina “me ndihmën e padronëve të saj perëndimorë”, po synonte të përmirësonte pozicionin negociues të Kievit përpara bisedimeve të mundshme të paqes dhe të ngadalësonte përparimin e forcave ruse.
Zyrtarët rusë thonë se Ukraina po përpiqet t’u dëshmojë mbështetësve të saj perëndimorë se ende mund të kryejë operacione të mëdha ushtarake, ndërsa rritet trysnia si mbi Kievin ashtu edhe mbi Moskën për të rënë dakord për të biseduar për përfundimin e luftës.
Duke sjellë luftën në Rusi, Ukraina ka detyruar gati 200,000 rusë të evakuohen nga rajonet kufitare pranë vendit të betejës së Kurskut të Luftës së Dytë Botërore, ku në vitin 1943 Ushtria e Kuqe mundi forcat naziste, në një nga fushëbetejat më të mëdha në botë.
Guvernatori i rajonit kufitar rus të Belgorodit, Vyacheslav Gladkov, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në mbarë rajonin të mërkurën, për shkak të sic tha, sulmeve të vazhdueshme nga forcat ukrainase.
“Situata në rajonin e Belgorodit vazhdon të jetë jashtëzakonisht e vështirë dhe e tensionuar”, tha ai në një video të postuar në aplikacionin e mesazheve, Telegram.
Bombardimet e përditshme nga forcat e armatosura ukrainase kanë shkatërruar shtëpi, duke vrarë dhe plagosur civilë, shtoi ai.
Operacioni sjell rreziqe për Kievin. Ukraina mund të lërë të pambrojtura pjesë të tjera të frontit duke dërguar forcat për të luftuar në territorin sovran rus. Rusia kontrollon 18 për qind të territorit ukrainas dhe ka përparuar muajt e fundit.
Ukraina pretendon se kontrollon të paktën 1,000 km katrorë të Rusisë, më shumë se dyfishi i asaj që tregojnë shifrat e Moskës. Agjencia e lajmeve Reuters nuk ishte në gjendje të vërtetonte në mënyrë të pavarur situatën në fushën e betejës.
Ukraina tha të martën se nuk ka interes që ta mbajë për një kohë të gjatë territorin që ka arritur ta vërë nën kontroll, por se ndërkohë, mund të vështirësojë përpjekjet e Moskës për të çuar më përpara trupat e saj në vijën e frontit, në lindje të Ukrainës.