Nënpresidentja Harris ballafaqohet me diskriminim gjinor dhe racor në garën për Shtëpinë e Bardhë
Kritikët e Nënpresidentes Kamala Harris po përdorin përkatësinë e saj gjinore si kartë kundër saj, duke thënë herë haptazi e herë duke e nënkuptuar, që një grua nuk mund ta mbajë postin më të fuqishëm në botë. Sipas korrespondentes së Zërit të Amerikës, Anita Powell, studiuesit thonë se ata që po sulmojnë zonjën Harris tani kanë vënë në shënjestër edhe përkatësinë e saj racore.
Thirrja e Nënpresidentes Kamala Harris për votuesit amerikanë që ta mbështesin atë për t’u zgjedhur në postin më të lartë të vendit të saj, po përballet me një mori sulmesh seksiste, që po vënë në shënjestër jetën e saj bashkëshortore, garderobën madje edhe të qeshurën e saj të veçantë – të gjitha këto, sipas ekspertëve, tipare të misogjinisë.
Nënpresidentja Harris po përpiqet të përmbysë këtë teori, e cila ekziston për më shumë se një shekull, që kur gruaja e parë u fut në garë për presidente.
Por studiuesit thonë se zonja Harris përballet edhe me një sfidë tjetër të cilës nuk mund t’i shmanget: prejardhjes së saj të përzier racore.
Ja çfarë thotë kandidati republikan për president, Donald Trump: “Ajo gjithmonë përmendte vetëm trashëgiminë indiane. Nuk e dija që është zezake deri para pak vitesh, kur ajo disi u shndërrua në zezake. Dhe tani ajo dëshiron ta njohin si zezake. Prandaj nuk e di, a është indiane apo zezake?”
Ky, sipas studiuesve, është shembull i qartë i të ashtuquajturës “misogjini racore”, apo diskriminim gjinor ndaj grave me ngjyrë.
“Misogjinia racore është një hibrid i tmerrshëm midis seksizmit dhe racizmit që përdoret në veçanti ndaj grave me ngjyrë. Ajo i ka rrënjët në stereotipin rreth dhe kundër grave me ngjyrë si dhe ndaj përcaktimeve që nuk u përshtaten normave të epërsisë patriarkale heteroseksuale të racës së bardhë”, thotë Nadia Brown, nga Universiteti Georgetown.
Këto sulme paragjykuese nxitën edhe disa nga kritikët më të ashpër republikanë të Nënpresidentes Harris që të bëjnë përpjekje për t’i frenuar ato.
“Nuk e kemi personalisht me zonjën Kamala Harris. Përkatësia e saj etnike dhe gjinore nuk kanë asnjë lidhje me këtë çështje”, thotë Mike Johnson, Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.
Studiuesit thonë se ekziston një përkrahje në rritje për gratë që u përmbahen roleve më tradicionale në shoqëri, siç mund të shihet në lëvizjen e ashtuquajtur ‘gruaja tradicionale’ që po merr hov në rrjetin social ‘Instagram’, e cila e konsideron rolin e gruas si shtëpiake, nënë dhe si bashkëshorte e devotshme.
Por disa votuese i hedhin poshtë këto sulme me bazë gjinore si “qesharake”.
“Është seksiste. Bëhet fjalë për njerëz që duan dominimin e burrave. Edhe kur zonja Clinton vuri kandidaturën, ata deklaronin ‘Oh jo, ajo është grua. Çfarë ndodh nëse është me cikël. Do ta fillojë luftën”, thotë Salenas Nash, votuese nga Kalifornia.
Studiuesja Brown nga Universiteti Georgetown thotë se zoti Trump po përdor sulmet personale ngaqë i frikësohet ballafaqimit të drejtpërdrejtë me zonjën Harris në një debat.
Së fundmi, zonja Harris dhe zoti Trump kanë shkëmbyer akuza në rrjetet sociale dhe duket se po i shmangeshin debatit të planifikuar më 10 shtator.
Zoti Trump hodhi hapin e parë, duke bërë thirrje për një debat mes dy kandidatëve me 4 shtator, në televizionin e tij të preferuar.
“Me gjasë ishte një hap i mençur i zotit Trump duke patur parasysh që zonja Kamala Harris është një ish prokurore, dhe nga ajo që dimë për të, dhe nga mënyrat se si ajo debaton, shumë njerëz besojnë se Donald Trump-i do të dalë i humbur në debat.”
Që kur gratë fituan të drejtën për të votuar në vitin 1920, pjesëmarrja e tyre në zgjedhjet presidenciale është rritur./VOA
Fraksion.com