Kurti: Hapja e urës nuk është kundër partnerëve të Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë nuk është kundër askujt dhe aq më pak kundër aleatëve të Kosovës, duke e vlerësuar hapjen e saj si të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë.
Ai i bëri këto komente në mbledhje të qeverisë, pas paralajmërimeve për hapjen e urës mbi lumin Ibër për lëvizjen e makinave.
“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe unë si kryeministër besojmë thellësisht se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet. Ne do të vazhdojmë konsultimet dhe koordinimet me partnerët tanë, hapja e urës nuk është kundër askujt”, tha ai.
Por synimet për hapjen e urës po kundërshtohen nga pjesëtarët e komunitetit serb dhe kritikat nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Një ditë më parë, kryeministri i Kosovës Albi Kurti diskutoi me komandantin e misionit paqëruajtës të NATO-s në Kosovë, Özkan Ulutaş rreth synimit të qeverisë për hapjen e urës.
Nëpërmjet një njoftimi për media forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, bënë thirrje të martën për shmangjen e deklaratave dhe veprimeve të njëanshme që mund të nxisin tensione duke theksuar se KFOR “nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë”.
Partnerët ndërkombëtarë po i kërkojnë Kosovës që hapja e urës kryesore mbi Ibër, që shënon edhe vijën ndarëse ndërmjet dy komunave të këtij qyteti, të trajtohet në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.
Bashkimi Evropian, që ka paralajmëruar shtimin e masave ndëshkuese për Kosovën në rast se vepron në mënyrë të njëanshme në veri të vendit, tha të martën se planifikon që statusin e urës mbi lumin Ibër vendosë në takimin e ardhshëm Kosovë – Serbis në Bruksel.
Autoritetet në Kosovë të martën publikuan edhe rezultatet paraprake të testimit të qëndrueshmërisë së kësaj ure, ku theksohet se ura mbi lumin Ibër është e qëndrueshme dhe funksionale për lëvizjen e makinave.
Fraksion.com