SHBA paralajmëron se Irani mund të sulmojë Izraelin brenda javës
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Lloyd Austin ka urdhëruar dërgimin e një nëndetëseje me raketa në Lindjen e Mesme, si edhe ka kërkuar që grupi luftarak i aeroplanmbajtëses “USS Abraham Lincoln” të lundrojë më me shpejtësi drejt rajonit, pasi Shtetet e Bashkuara thanë të hënën se besojnë se Irani ose grupet e mbështetura prej tij mund të kryejnë një sulm kundër Izraelit këtë javë.
Këto lëvizje vijnë ndërsa SHBA dhe aleatët e tjerë po bëjnë thirrje që Izraeli dhe Hamasi të arrijnë një marrëveshje armëpushimi që do të ndihmonte në zbutjen e tensioneve në rritje në rajon pas vrasjes së udhëheqësit politik të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran dhe një komandanti të lartë të Hezbollahut në Bejrut.
John Kirby, zëdhënësi i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, tha se kundërpërgjigja e Iranit ndaj vrasjeve “mund të vijë këtë javë”, por se “është e vështirë të vlerësohet në këtë moment nëse Irani ndërmerr një sulm, se çfarë forme do të kishte ai”. Zoti Kirby tha se SHBA dhe aleatët e saj po marrin masa për “sulme serioze”.
“Presidenti është i bindur se ne kemi aftësitë e duhura për të ndihmuar në mbrojtjen e Izraelit nëse do të jetë e nevojshme. Askush nuk do që situata të arrijë në atë pikë”, tha zoti Kirby.
Gjeneral Major Pat Ryder, zëdhënësi i Pentagonit, tha përmes një deklarate se Sekretari Austin foli me Ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant më herët gjatë ditës dhe përsëriti angazhimin e Amerikës “për të ndërmarrë çdo hap të mundshëm për të mbrojtur Izraelin dhe vuri në dukje forcimin e pranisë ushtarake të SHBA-së dhe gatishmërisë në të gjithë Lindjen e Mesme në kushtet e përshkallëzimit të tensioneve rajonale.”
Në një deklaratë të përbashkët, udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Italisë “i bëjnë thirrje Iranit të heqë dorë nga kërcënimet e vazhdueshme për një sulm ushtarak kundër Izraelit dhe diskutuan pasojat serioze ndaj sigurisë rajonale në rast të një sulmi të tillë”.
Kancelari gjerman Olaf Scholz foli me telefon të hënën me presidentin iranian Masoud Pezeshkian dhe “shprehu shqetësimin e madh për rrezikun e një konflikti rajonal në Lindjen e Mesme”, tha qeveria gjermane.
Edhe Kryeministri britanik Keir Starmer foli me Presidentin Pezeshkian dhe i bëri thirrje Iranit që të mos sulmojë, tha zyra e kryeministrit.
Grupi i aeroplanmbajtëses “USS Abraham Lincoln”, që ndodhej në Azi-Paqësor, ishte urdhëruar që më parë të shkonte në rajon për të zëvendësuar grupin e aeroplanmbajtëses “USS Theodore Roosevelt”, që ishte planifikuar të largohej nga Lindja e Mesme për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara.
Zëdhënësi i Pentagonit, Ryder nuk tha se sa shpejt do të arrinte në rajon nëndetësja me raketa “USS Georgia”. Ai tha se Sekretari Austin dhe Ministri Gallant diskutuan gjithashtu për operacionet ushtarake të Izraelit në Gazë dhe rëndësinë e shmangies së viktimave mes civilëve.
Thirrja vjen një ditë pasi një sulm ajror izraelit goditi një shkollë që ishte kthyer në strehim në Gazë të shtunën herët, duke vrarë të paktën 80 persona dhe plagosur afro 50 të tjerë, në një nga sulmet më vdekjeprurëse të luftës në Gazë, thanë autoritetet shëndetësore palestineze, që kontrollohen nga Hamasi dhe nuk bëjnë dallim mes civilëve dhe militantëve./VOA
Fraksion.com