AktualitetPolitikëTë fundit

Gjekmarkaj: Qytetet i ka ndërtuar Rama me muratoret e tij

Nga Agron Gjekmarkaj

Më tërhoqi vëmendjen posaçërisht një video që Kryeministri Edi Rama publikoi dje në rrjetet sociale e me pas në mediat e shumta pranë tij! Nëse nuk do yshtej në komente duke krahasuar pushtetin e tij me atë të vitit “1938” mund të anashkalohej pa shumë vëmendje ose me aq sa meriton një qefli ahengu, çabulli, dasme, feste syneti e të tjera kësosh!

Pamjet shfaqnin milet që kërcenin në qendër të qytezës së Libohovës!

Teksti përpiqej të jepte idenë se njerëzit këndojnë e vallëzojnë nga qejfi, gëzimi e lumturia që u fal kjo qeveri të cilët ishin të zymtë, nopranë, pa dëshira kur ai ishte Kryetar Opozite!! Falë dorës së ngrohtë të Partisë ja ka behur lumturia, buçet daullja e zyrnaja.

Ritet e jetës, me gëzimet e hidhërimet të stinëve, të të mbjellave, të të korrave, të vjeljes së rrushit, të zieres së rakisë e një listë tejet e gjatë zakonesh e kanë shoqëruar njeriun ndër shekuj, shqiptarin po ashtu! Edhe nën pushtimin turk kanë bërë festa, kanë kënduar, janë martuar, kanë ngrënë e pirë, pas tufës me dhi e dele duke i rënë fyellit ja kanë marrë një vënçëje, nën italianin e gjermanin po, në komunizëm gjithashtu! Por gjërat e jetës nuk ka tentuar askush t’i përvetësojë!

Këtë biçim adet vetëm këta të “Rilindjes”e kanë shpikur! Ngjan sikur qytetet i ka ndërtuar Rama me muratoret e tij të qeverisë, detet lumenjtë e malet sikur ai me të vetët t’i ketë pikturuar, kostumet popullore po aq, notat e këngëve dhe ritmet e valleve ai dhe ministrat e tij! Morën medaljet çeçenet nën Flamurin tonë dukej se në ring kishte  qenë ky dhe Bakja! Lali ju fshiu djersët. Ashtu shfaqej edhe Libohova e meremetuar prej tij, e populluar nga e njëjta dorë, që kërcente prej vullnetit të tij e për të! Tezja qante që ia mbërriti kësaj dite! Nga frika se mos vjen një kohe dhe ai ikën pastaj qytetet shemben, lumenjtë nuk vërshojnë, detet thahen, era nuk fryn më, njerëzia murretehet, oreksi u ndalet, jeta çartet e soset dhe shqiptari i gjorë mbetet pa Zot qante më me gulçe!

 

Fraksion.com