DW: Gjermania skepticizëm për dërgimin e Bundesverit në Izrael
Anëtarët e CDU-së për angazhimin e Bundeswehrit
Në Gjermani, ka pasur një mosmarrëveshje prej kohësh mes partive politike, nëse Bundeswehri duhet të përfshihet në rast të një sulmi iranian, me qëllim mbrojtjen e Izraelit. Gjermania e furnizon me armë Izraelin, Berlini mbështet qeverinë e Izraelit në shumë fusha të tjera. Sidoqoftë, përfshirja e ushtarëve gjermanë ishte dhe është ende – e paimagjinueshme. Deri më tani, qeveria izraelite asnjëherë nuk ka kërkuar aktivizimin e Bundeswehrit në konflikt. Një ekspert i politikës së jashtme dhe sigurisë nga grupi parlamentar i CDU (Unioni Kristiandemokrat) në Bundestag, Roderich Kiesewetter, megjithatë tha fundjavën e kaluar në radion Deutschlandfunk, se qeveria gjermane duhet të “zgjohet më në fund” në kontekstin e shtrëngimit të situatës. Si shembuj të mundshëm të angazhimit ai përmendi furnizimin me karburant të avionëve luftarakë të vendeve aleate në ajër, domethënë përfshirjen e Eurofighters në mbrojtje kundër dronëve iranianë. Ai sqaroi gjithashtu: Ushtarët gjermanë nuk duhet të sulmojnë objektivat në Iran.
Deklarata të ngjashme erdhën edhe nga Këshilli Qendror i Hebrenjve në Gjermani. Presidenti i Këshillit Josef Schuster tha për shërbimin mediatik RND (RedaktionsNetzwerk Deutschland): “Megjithatë, përgjegjësia historike e Gjermanisë për sigurinë e Izraelit nuk është ligjërisht e detyrueshme. Por për mendimin tim, kjo sigurisht do të thotë se në rast të një sulmi të përmasave që kërcënon aktualisht, edhe Gjermania do të jetë ushtarakisht në anën e shtetit hebre”.
Përgjegjësia historike
Përgjegjësia historike e Gjermanisë për Izraelin pas Holokaustit të Gjermanisë hitleriane gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku u vranë disa milionë hebrenj evropianë i referohet konceptit të “kauzës shtetërore”. Kauza shtetërore nuk rregullohet me ligj, por anëtarët e qeverive aktuale dhe të kaluara gjermane e kanë theksuar shpesh atë si një obligim të Gjermanisë.
Përshkallëzimi aktual në Lindjen e Mesme ndodhi pas likuidimit të kreut të Hamasit radikal islamik, Ismail Hania, në Teheran. Vrasja i atribuohet Izraelit. Por çfarë do të thotë saktësisht “kauza shtetërore” A do të thotë kjo se, nëse është e nevojshme, ushtarët gjermanë duhet të dërgohen dhe të marrin pjesë në një operacion për të mbrojtur Izraelin?
Deri tani nuk ka kërkesa nga Izraeli
Politikanët e tjerë gjermanë mund të mos duan të shkojnë aq larg sa Kiesewetter, madje as ata në opozitë, e lëre më në koalicionin qeverisës. Johann Wadephul i shmanget përgjigjes së saktë për këtë pyetje. Për RND, ai tha: “Skenarët si mbështetja ushtarake nuk janë në agjendë sipas njohurive tona. Gjithsesi kjo do të kërkonte një mandat nga Bundestagu”.
Në mënyrë të ngjashme formale, kryetari i Komitetit të Mbrojtjes në Bundestag, Marcus Faber (FDP), iu përgjigj pyetjes për rolin e ushtarëve gjermanë në një luftë të mundshme në Lindjen e Mesme. “Izraeli komunikoi qartë se ne mund të ndihmonim. Dhe ne duhet ta bëjmë këtë – për shembull duke miratuar shpejt eksportin e armëve. Dërgimi i Bundeswehrit në Izrael nuk është kërkuar dhe nuk do të ndihmonte gjithsesi atje”.
Lufta kundër IS
Fakti është vërtet se Bundeswehri nuk do të ishte në gjendje të ndihmonte konkretisht në vend. Ashtu si Kiesewetter, edhe eksperti i politikës së jashtme të FDP-së, Ulrich Lechte, përmend si një mundësi përfshirjen e Bundeswehrit në furnizimin me karburant të avionëve aleatë në ajër. Ekologjisti Sergey Lagodinsky, vuri në dukje për gazetën e Berlinit, “Tagesspiegel”, se Bundeswehr është në fakt tashmë ushtarakisht aktiv në rajonin e Lindjes së Mesme. Ushtarët gjermanë po marrin pjesë në një operacion ushtarak kundër milicisë xhihadiste “Shteti Islamik” (IS).
Bundeswehri ka qenë aktiv atje që nga viti 2015. Deri në 500 ushtarë gjermanë janë të stacionuar në Irak dhe Jordani, të cilët marrin pjesë në operacionin e karburantit ajror të avionëve amerikanë dhe aleatëve.
Fraksion.com