AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Vuçiç: Protestat kundër minierës së litiumit – pjesë e luftës “hibride” kundër Serbisë

Presidenti i Serbisë akuzoi të dielën protestuesit që kundërshtojnë një projekt për hapjen e një miniere të litiumit në vendin ballkanik, se janë pjesë e një lufte “hibride” të mbështetur nga Perëndimi kundër qeverisë së tij dhe u zotua të ndërmarrë veprime të forta ligjore kundër atyre që kanë bllokuar trafikun hekurudhor dhe rrugor në Beograd, një ditë më parë.

Në një nga protestat më të mëdha në vitet e fundit, dhjetëra mijëra veta dolën në rrugë të shtunën në Beograd kundër minierës së litiumit në Serbi, pavarësisht paralajmërimeve të zyrtarëve për komplotin e supozuar për të rrëzuar presidentin populist Aleksandar Vuçiç dhe qeverinë e tij.

Disa nga protestuesit më vonë bllokuan dy stacione hekurudhore në qytet dhe ndaluan për pak kohë trafikun në një autostradë. Herët të dielën policia i dëboi ata nga stacionet hekurudhore.

Ministri i Brendshëm Ivica Daçiç tha se 14 persona janë arrestuar për t’u marrë në pyetje. Policia po punon për identifikimin e të gjithë autorëve të cilët do të përballen me akuza, tha ai.

Presidenti Vuçiç tha në një konferencë për shtypin se megjithëse protesta kryesore u zhvillua në mënyrë demokratike, bllokimi i trafikut paraqet “terror të pakicës ndaj shumicës”.

“Është pjesë e qasjes hibride” e sajuar për të rrëzuar qeverinë, u tha presidenti Vuçiç gazetarëve. “Ne dinim gjithçka në hollësi. Ju mendoni se e keni befasuar dikë?… Ne kemi qenë gjithmonë të përmbajtur, pa dhunë kemi siguruar rendin në vend, pa problem”.

Më herët gjatë javës presidenti serb tha se ishte informuar nga shërbimet ruse të zbulimit se “trazira masive dhe një grusht shteti” po përgatiteshin të shtunën në Serbi nga fuqi të paspecifikuara perëndimore, që dëshirojnë ta rrëzojnë atë nga pushteti./VOA

 

Fraksion.com