Parashikimi i Showbizit Shqiptar
Këtë javë mbi horizontin e showbiz-it shqiptar priten “ciklone skandalesh” dhe “reshje të dendura lajmesh bombastike,” të cilat do të mbajnë atmosferën e rrjeteve sociale të tensionuar. Në qendër të vëmendjes do të jetë “furtuna e dhunës makabre” që goditi Antonela Berishën dhe motrën e saj Mariela, të cilat janë në kërkim nga Policia pas sulmit barbar ndaj një vajze. Ky fenomen pritet të shkaktojë një stuhie me komente dhe një rritje të ndjeshme të përdorimit të emoji-ve.
Në anën tjetër të vendit, “retë e trazuara të arrestimeve” do të vijojnë të mbulojnë qiellin mbi Pejë, ku Noizy pret vendimin e Policisë së Kosovës. Në këtë zonë parashikohen shpërthime të papritura të showt nga drejtësia dhe politika e Kosovës.
Ndërkohë, në qytetet kryesore, do të përjetojmë erërat e luksit të shkaktuara nga Dafina Zeqiri, e cila sapo i ka blerë partnerit një Ferrari për ditëlindje. Ky akt ka ngritur “temperaturat e pretendimeve” mes djemve, të cilët tani kërkojnë dhurata të nivelit superluksoz. Vajzat, kujdes, këto erëra të forta mund të sjellin presione të papritura!
Sakaq, nuk do ketë më stuhi vëmendje mbi Getinjon. Parashikohen re dyshimi që do të sjellin spekulime dhe komente të shumta mbi vërtetësinë e lidhjeve të reja.
Ndërkohë, mot i qetë dhe i ngrohtë do të mbizotërojë mbi çiftin Mozzik dhe Lotina, të cilët janë kudo bashkë dhe me pushime. Ky çift pritet të sjellë dallgë të lehta dashurie dhe pozitiviteti në mediat sociale.
Në zonën qendrore, erërat e ndarjes kanë goditur Luana Vjollcën, e cila është tanimë single. Ky lajm ka sjellë diell dhe rreze shprese për ata që kanë pritur me vite këtë moment, ndërsa temperaturat e interesit për Luanën po ngrihen ndjeshëm. Pritet një rritje e numrit të ndjekësve që shpresojnë për një shans të ri!
Tayna po përjeton një cunami global suksesi, duke u bërë virale ndërkombëtarisht dhe duke u renditur e 10-ta më e dëgjuar në Shazam. Kjo do të sjellë një rritje dramatike të temperaturave në karrierën e saj muzikore.
Erërat e dashurisë kanë fryrë mbi Olsi Bylykun, i cili sapo bëri publike lidhjen e tij të re me një dedikim.
Ngricat muzikore do të vazhdojnë të mbizotërojnë në tregun muzikor, me publikime të shumta këngësh me dy fjalë dhe muzikë talavaje që duket se kanë krijuar një shtresë të trashë akulli mbi krijimtarinë artistike.
Në bregdetin e koncerteve, parashikohen mjegulla të dendura anulimesh pasi shumë artistë do të vazhdojnë të anulojnë koncertet për shkak të mungesës së publikut. Ky fenomen pritet të krijojë një klimë të ftohtë në koncertet playback. Ndjesë, live*.
E për ta mbyllur, Kristjan Asllani do të mbetet i pandryshuar në rolin e tij si një fenomen atmosferik që vetëm e rrit temperaturën kudo që shfaqet. Këshillohet të mbajnë ujë me vete të gjitha vajzat që nuk mund t’i rezistojnë nxehtësisë së tij! Valët e adhurimit nga vajzat janë të dukshme. Ndaj, mos u habisni kur të shihni një stuhie të përditshme postimesh dhe komentesh për të në Revista Class. Ç’a t’bojmë ime!
Mbani sytë hapur dhe përgatituni për një javë të mbushur me ngjarje që do t’ju mbajnë të gjithë të lidhur pas telefonit!/revista class
Fraksion.com