AktualitetTë fundit

Plas sherri në Hamallaj, kacafyten 3 vëllezër , njeri plagoset: Policia u gjen armë e karikator në banesa dhe i arreston

Tre vëllezër kanë rënë në prangat e policisë, pasi u konfliktuan me njëri-tjetrin në oborrin e përbashkët të banesës në Hamallaj të Durrësit.

Shërbimet shkuan në vendngjarje pas marrjes së njoftimit se në Hamallaj po ndodhte një konflikt midis tre vëllezërve.

Gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, në oborrin e përbashkët të banesave të tyre, njëri prej vëllezërve, shtetasi A. P., ka dëmtuar me thikë gomat e një automjeti tip furgon, dhe më pas është konfliktuar fizikisht me dy vëllezërit e tij, shtetasit L. P. dhe Y. P., duke përdorur sende të forta dhe thikë ku si pasojë ka mbetur i dëmtuar në dorë  Y. P., i cili është jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. P., Policia gjeti dhe sekuestroi dy armë zjarri pistoleta, katër karikatorë për pistoletat, një silenciator të pamontuar dhe fishekë luftarakë. Gjithashtu, u sekuestrua dhe thika e përdorur gjatë konfliktit.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë tre vëllezërit:

– A. P., 53 vjeç, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Shkatërrim prone”;

– L. P., 49 vjeç, dhe Y. P., 43 vjeç, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme në lidhje me ngjarjen.

Fraksion.com