11 fakte për vikingun e famshëm, Ragnar Lothbrok
Një personazh i njohur nga seriali i suksesshëm, Vikings, Ragnar Lothbrok ishte fillimisht një hero legjendar dhe mbret i sagave norvegjeze. I njohur për sulmet e panumërta në Ishujt Britanikë, udhëheqjen guximtare dhe djemtë legjendarë, sagat epike të të cilëve i kanë përjetësuar në legjendat norvegjeze, aventurat e Ragnarit kanë mahnitur audiencën gjatë shekujve.
Megjithatë, pavarësisht nga popullariteti i Ragnarit dhe djemve të tij, ka ende shumë pyetje dhe debate rreth jetës dhe trashëgimisë së tij. Ja çfarë dimë për Ragnar Lothbrok.
A ka ekzistuar Ragnar Lothbrok?
Ekziston një debat i madh nëse Ragnar Lothbrok ishte një person real. Ai lindi gjatë një kohe kur lindjet dhe vdekjet nuk regjistroheshin dhe rrëfimet e para të shkruara që e përmendnin atë nuk u hodhën në letër deri të paktën 350 vjet pasi ndodhën aventurat e tij. Kjo do të thotë që nuk mund të themi me 100% siguri se ai ka ekzistuar.
2. Histori apo historia e tij?
Hendeku i konsiderueshëm midis kohës kur Ragnar jetoi dhe kur u shkrua historia e tij do të thotë se aventurat e tij u përcollën nëpër breza gojarisht. Tregimtarët udhëtues përhapën rrëfenjat mbi Ragnar Lothbrok dhe me gjasë i zbukuruan ose shtuan pjesë që nuk ishin të vërteta. Kjo e shtyn më tej argumentin se ai ishte më shumë një personazh imagjinar i përdorur për të përhapur ide dhe alegori, sesa një person i gjallë.
3. Ragnar Lothbrok i vërtetë
Aventurat dhe heroizmat e Ragnarit rrëfehen në saga të shumta. Ata e përshkruajnë si një luftëtar të ashpër që udhëhoqi sulme të shumta nëpër Ishujt Britanikë dhe më vonë u bë mbret i Suedisë dhe Danimarkës.
Shumë nga ato që janë shkruar për Ragnarin ka të ngjarë të jetë një mit i krijuar për të nxjerrë në pah fuqinë dhe egërsinë e vikingëve. Një argument tjetër sugjeron se të gjitha aventurat e Ragnarit mund të ishin ndërmarrë nga burra të ndryshëm, por më pas u futën të gjitha në legjendën e Ragnarit, për ta bërë më të lehtë përhapjen e historisë së tij.
4. Kur ishte gjallë Ragnari?
Nëse ajo që dimë për Ragnarin bazohet në të vërtetën, ai ka jetuar diku midis vitit 801 pas Krishtit dhe 900 pas Krishtit.
5. Ai kishte një gardërobë interesante
Emri i Ragnar nuk iu dha nga familja e tij, por ishte një pseudonim që rrjedh nga zgjedhja interesante e garderobës. Ragnar Lothbrok përkthehet në ‘Ragnar Leshatori’ dhe i referohet pantallonave dhe pelerinës së tij me gëzof të ashpër. Ai e ziente pelerinën në katran për ta mbrojtur nga një lloj gjarpri helmues.
6. Ai nuk kishte lidhje me Rollon
Rollo, ndryshe nga Ragnar, është një figurë historike e pranuar. Prijësi viking do të bëhej Duka i parë i Normandisë në Francë, por nuk kishte asnjë lidhje me Ragnarin. Pasardhësit e Rollos do të vazhdonin të sundonin në Normandi dhe madje do të pushtonin Anglinë në Betejën e Hastings në vitin 1066! Uilliam Pushtuesi ishte një i afërm i largët i Rollos.
7. Lagerta gati sa nuk e vrau
Kur Ragnar i propozoi për herë të parë për martesë Lagerthës në sagat e tij, ajo nuk ishte e interesuar dhe e largoi. Ajo priste që Ragnarin ta hante ariu dhe zagari që ruanin shtëpinë e saj, por Ragnari fitoi luftën dhe vrau të dy kafshët. Lagertha ishte e impresionuar pasi ai i solli trupat e tyre dhe ra dakord për propozimin e ri për martesë.
Pas ndarjes së tyre, Lagertha, një vajzë e famshme luftëtare, vazhdoi të luftonte përkrah Ragnarit dhe ta mbështeste atë. Ajo është parë duke i ardhur në ndihmë shumë herë gjatë sagave dhe sipas tyre, ata të dy e vlerësonin shumë njëri-tjetrin pavarësisht divorcit.
8. Lagertha dhe Aslaug nuk ishin gratë e tij të vetme
Ragnar kishte një grua të tretë që nuk hyri në serial. Ai fitoi dashurinë e Thora-s pasi e shpëtoi nga një gjarpër gjigant që ishte mbështjellë rreth shtëpisë së saj. Çifti pati dy fëmijë së bashku, Erik dhe Agnar. Pas vdekjes së Thoras nga sëmundja, Ragnar u takua dhe u martua me Aslaug.
9. Bjorn nuk ishte djali i Lagerthës
Bjorn ishte në fakt djali i Ragnar dhe Aslaug, jo djali i Lagerthas. Djemtë e tjerë të tyre ishin Ivari pa kocka, Sigurd dhe Halfdan. Ka prova të konsiderueshme historike që sugjerojnë se Ivar, Sigurd, Bjorn dhe Halfdan ekzistonin dhe ndikimi që rrëfimet e tyre patën në histori është ajo që ndihmoi në mbajtjen gjallë të legjendës së Ragnarit. Në fakt, nëse nuk do të kishin qenë kaq të njohur, ndoshta nuk do të kishim ditur fare për Ragnarin!
10. Bijtë e Ragnarit
Pavarësisht se kishin vetëm tre gra, kishte shumë më tepër vikingë që mburreshin me emrin Ragnarsson. Shumë vikingë pretenduan se e kishin prejardhjen nga Ragnari legjendar, por gjasat janë që ata thjesht e përdornin emrin për të fituar një reputacion frikësues.
Ragnar pati gjithashtu dy vajza me Lagerthën dhe shumë fëmijë të tjerë jashtë martesës, por historitë e tyre u lanë jashtë sagave.
11. Vdekja e tij e kontestuar
Ka dy histori të ndryshme që i atribuohen vdekjes së Ragnarit. E para ishte se atij iu mbyt anija në Detin Irlandez kur një stuhi e dhunshme goditi grupin e tij të sulmit.
E dyta (dhe shumë më e popullarizuar) është se ai u kap nga mbreti Aella i Northumbrias dhe u hodh në një gropë gjarpërinjsh si ndëshkim për sulmet e vikingëve ndaj mbretërisë.
Ragnar Lothbrok në mitologjinë norvegjeze
Të shkruara gjatë shekujve të 12-të dhe të 13-të, sagat norvegjeze janë të mbushura me histori heronjsh legjendarë, asnjë më i famshëm se mbreti viking Ragnar Lothbrok. Bëmat dhe veprat e tij epike kanë bërë jehonë ndër shekuj dhe vazhdojnë të ekzistojnë në kulturën popullore sot. / bota.al
Fraksion.com