Presidenca: Mënyra si incidenti u trajtua në konferencën Kurti-Mickoski është për keqardhje
Presidenca e Kosovës tha se është “për keqardhje” mënyra se si u trajtua incidenti i 1 gushtit, gjatë konferencës për media më 5 gusht të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe homologut të tij maqedonas, Hristijan Mickoski, në Shkup.
Gjatë konferencës, Hristijan Mickoski, tha se i vjen keq për incidentin në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ndërkaq, homologu i tij kosovar, Albin Kurti, tha se një raport zyrtar do të zbardhë gjithë ngjarjen.
“[Konferenca] i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës. Ajo që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe aplikuara botërisht, prandaj Presidenca pret të njoftohet për masat e ndërmarra lidhur me këto shkelje, ashtu siç është potencuar edhe në notën e protestës të drejtuar nga Republika e Kosovës”, u tha në reagimin e Presidencës.
Ky institucion tha se e vlerëson shprehjen e keqardhjes për incidentin nga kryeministri maqedonas, por shtoi se deri më tani, “në asnjë moment institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk i kanë trajtuar çështjet e ngritura në notën e protestës që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtës ndërkombëtare zakonore në raport me Republikën e Kosovës, por përkundrazi, hapur e pa asnjë hezitim e kanë pranuar një shkelje të tillë”.
“Për këtë as nuk duhen raporte e hetime shtesë për ndonjë gjendje faktike, sepse ato janë komplet jorelevante para pranimit publik te institucioneve të Maqedonisë së Veriut se një rregull i tillë është imponuar qëllimshëm, pavarësisht kërkesave të qarta të së drejtës ndërkombëtare”, u tha në reagim.
Presidenca përsëriti se Vjosa Osmani nuk ka bërë tejkalim apo shkelje të procedurave gjatë udhëtimeve të saj në shtete të ndryshme të botës. Gjatë këtyre udhëtimeve, pavarësisht se në shumicën e aeroporteve ka rregulla strikte të sigurisë, Osmanit, sipas Presidencës, kurrë nuk i është kërkuar skanimi i çantës personale, “e lëre më të telefonit, e aq më pak të kërkohet ‘full body scan’, sepse kjo, në mes tjerash, do të nënkuptonte se janë duke e trajtuar shefin e shtetit – rrjedhimisht shtetin – si rrezik potencial për terrorizëm”.
Presidenca tha po ashtu se tash e disa ditë janë të finalizuara raportet e përgatitura nga ky institucion dhe Policia e Kosovës për këtë rast.
Në këto raporte, sipas Presidencës, tha se aty shihet se nuk ka pasur kërkesa për devijim apo anashkalim të rregullave, por vetëm respektim të konventave dhe të drejtës ndërkombëtare zakonore.
Presidenca kosovare e kishte cilësuar si “provokim të pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident” ngjarjen që ndodhi në Aeroportin e Shkupit.
Por, kryeministri kosovar Kurti kur u pyet në Shkup nëse Kosova mban ende qëndrimin se kjo ngjarje ishte provokim, ai tha se nuk e di që institucionet kanë pasur një qëndrim të tillë dhe këtë mund ta ketë thënë ndonjë “qytetar”, por jo edhe institucionet e Kosovës, duke theksuar se Ministria e Jashtme dhe Diasporës e Kosovës përmes njoftimeve, ka shprehur qëndrimin e Qeverisë.
Ai tha se për këtë rast “do të ketë një raport zyrtar që do ta zbardhë këtë çështje në tërësi, edhe që të kuptojmë se çfarë saktësisht ka ndodhur, por edhe që të mos na përsëriten më kurrë situata të tilla”.
Autoritetet maqedonase kanë thënë se kushdo që ka bërë shkelje në rastin e incidentit në Shkup, do të përballet me përgjegjësi penale.
Incidenti ku u përfshi Osmani ka shkaktuar reagime të shumta të përfaqësuesve të opozitës dhe partive shqiptare që janë në koalicionin qeverisës në Maqedoninë e Veriut, që kanë fajësuar njëra-tjetrën.
Pavarësisht kësaj ngjarjeje, Kurti dhe Mickoski thanë se raportet mes shteteve janë të mira.
Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë raporte diplomatike dhe deri më tani nuk kanë pasur incident të kësaj natyre./REL
Fraksion.com