AktualitetKosovaRajoniTë fundit

BE, presim nga Kosova të rishqyrtojë dhe trajtojë në kuadër të dialogut çështjen e Postës së Serbisë

Bashkimi Evropian tha sot se pret nga qeveria e Kosovës që ta rishqyrtojë dhe ta trajtojë çështjen e mbylljes së degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës në kuadër të dialogut në Bruksel.

Autoritetet në Kosovë thanë ndërkaq se strukturat paralele dhe veprimtaritë jolegale nuk kanë vend në Kosovë dhe sipas tyre kjo do të duhej të mbështetej fuqishëm edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

Të hënën policia e Kosovës mbylli nëntë degë të Postës së Serbisë, që vepronin pa licencë në veri të Kosovës, në një operacion që nxiti reagimin e Beogradit por edhe diplomacisë perëndimore.

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, institucion ky që është përgjegjës për rregullimin dhe mbikëqyrjen e ofrimit të shërbimeve postare në Kosovë tha se objektet postare të Serbisë vepronin në mënyrë jolegale, të paregjistruara dhe pa licencë të institucioneve përkatëse

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha sot se veprimet e autoriteteve në Prishtinë ishin të njëanshme, të pabashkërenduara dhe dëmtojnë të ardhmen e Kosovës.

“Fakti që Bashkimi Evropian vendosi masat kundër Kosovës vitin e kaluar është pasqyrim i hapave që çuan në përshkallëzim. Tani shohim më shumë hapa të njëanshëm, më shumë veprime të pabashkërenduara. Ky nuk është në të vërtetë shtensionim, kjo çon në përshkallëzim të mëtejshëm dhe mendoj se kjo duhet të kuptohet shumë qartë nga ata që i marrin këto vendime në Prishtinë”, tha zoti Stano.

Ai tha se Serbia dhe Kosova kanë arritur marrëveshje në vitin 2013 për telekomunikacionin dhe është thënë se shërbimet postare do të diskutohen në një periudhë të mëvonshme.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi tha të martën se veprimet e ndërmarra nga policia janë në shërbim të mbrojtjes së sundimit të ligjit, konkurrueshmerisë dhe kushtetutshmërisë në vend.

“Strukturat paralele dhe aktiviteti ilegal, nuk kanë vend në Republikën e Kosovës. Kjo, do të duhej të mbështetej fuqishëm edhe nga partnerët e aleatët tanë ndërkombëtarë”, shkroi zoti Bislimi në rrjetet sociale

Zëvendëskryeministri Bislimi shkroi se fakti që çështja e shërbimeve postare është konsideruar si diskutim për të ardhmen në marrëveshjet e kaluara të viteve 2013 dhe 2015, kjo nuk nënkupton që Posta e Serbisë të vijojë punën jolegale në vend.

“Asgjë nuk nënkupton të drejta, apo tolerim të entiteve ilegale në vend. Kjo asesi nuk mund të jetë e pranueshme dhe e lejueshme për shtetin tonë, e parimisht nuk do të duhej të ishte e pranueshme as nga ana e Bashkimit Evropian”, shkroi ai duke kritikuar siç tha gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të dënuar Kosovën dhe duke kontribuar negativisht në ecjen përpara drejt marrëveshjes finale.

Shtetet e Bashkuara u shprehën “thellësisht të zhgënjyera” me ato që ato quajtën “veprime të njëanshme dhe të pa bashkërenduara të qeverisë së Kosovës”, për mbylljen e degëve të Postës Serbe në veri të Kosovës. Përmes një komunikate ambasada amerikane në Prishtinë tha se “veprimet e pa bashkërenduara i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe dëmtojnë emrin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”.

Veprimet e një dite më parë u dënuan edhe nga ambasadorë të tjerë të vendeve evropiane në Kosovë.

Operacioni nxiti reagime të ashpra të autoriteteve në Serbi dhe përfaqësuesve politik të serbëve në Kosovë. Sipas tyre “me veprimet e fundit në veri të Kosovës, qeveria e Albin Kurtit po synon të provokojë një konflikt”./VOA

 

Fraksion.com