Ministri Vengu në qendrën operacionale të Emergjencave: Identifikim në kohë reale i vatrave të zjarrit
Me të marrë detyrën, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu u njoh nga afër me veprimet bashkërenduese të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile në rang vendi dhe reagimin e të gjitha forcave të angazhuara pranë vatrave të zjarreve në këto ditë me temperatura ekstreme.
Në vizitën e tij pranë Qendrës Operacionale kombëtare të Mbrojtjes Civile, Ministri Vengu e vuri theksin në nevojën për të siguruar identifikimin në kohë reale të vatrave dhe për të pasur një reagim sa më të shpejtë ndaj situatave.
“Modernizimi i mjeteve, sistemeve dhe pajisjeve në funksion të përballimit të emergjencave në çdo bashki të vendit është një përparësi dhe do të vijojmë të investojmë fuqishëm në këtë drejtim”, theksoi Vengu duke nënvijëzuar se “AKMC është një instrument në dispozicion të pushtetit vendor, dhe të prefektëve për të angazhuar një gamë të gjerë resursesh kombëtare dhe për të pasur një menaxhim më të shpejtë të situatave”.
Një aspekt tjetër i mirëmenaxhimit të emergjencave, është edhe ndërgjegjësimi i banorëve dhe enteve përgjegjëse për marrjen e masave parandaluese. “Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të vijojë të investojë në rritjen e kapaciteteve të personelit të emergjencave të Bashkive dhe ndërgjegjësimin e komuniteteve në zonat me risk”.
“Duhet të kemi patjetër në vëmendje elementin parandalues dhe ndërgjegjësimin e komuniteteve për reagime të caktuara përballë rreziqeve të caktuara, atëhere edhe ndërhyrja është edhe më e shpejtë dhe më efiçente”, u shpreh ministri i Mbrojtjes.
Fraksion.com